Hyrja në Portin e Durrësit- Rrugët drejt Portit
Porti i Durrësit ofron disa pika hyrjeje për udhëtarët dhe drejtuesit e automjeteve që udhëtojnë drejt porteve të Barit dhe Ankonës (Itali).
Aksesi në Terminalin e Trageteve mundësohet përmes Portave nr. 2, nr. 3 dhe nr. 4, ku udhëtarët duhet të paraqesin pranë punonjësve të FSPD pasaportën personale dhe biletën e udhëtimit.
Porta nr. 3 – Për udhëtarët këmbësorë
E vendosur në godinën e Stacionit Hekurudhor Durrës, Porta nr. 3 përdoret nga udhëtarët këmbësorë, të cilët nuk udhëtojnë me automjete.
Pas kalimit nga kjo portë, ata mund të ndjekin Mbikalimin që të çon drejtpërdrejt në Terminalin e Trageteve.
Porta nr. 4 – Për udhëtarët me automjete
E ndodhur pranë Urës së Dajlanit, Porta nr. 4 është hyrja më e përdorur për të gjithë udhëtarët që mbërrijnë në port me autovetura ose kamionë.
Kjo portë shfrytëzohet kryesisht nga udhëtarët që vijnë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, si dhe nga qytetet e tjera të Shqipërisë.
Porta nr. 2 – Hyrje për udhëtarët vendas
Porta nr. 2 ndodhet përballë godinës së Bankës së Shtetit.
Kjo hyrje përdoret nga udhëtarët që vijnë nga lagjet e qytetit të Durrësit, së bashku me autoveturat e tyre, për t’u drejtuar drejt Terminalit të Trageteve.
Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”
Në përputhje me shprehjen tradicionale “Të gjitha rrugët të çojnë në Durrës”, qyteti portual përfaqëson një nyje të rëndësishme transporti automobilistik, detar dhe hekurudhor.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” ndodhet rreth 30 km larg Portit të Durrësit.
Falë autostradës moderne Tiranë–Durrës, udhëtimi mes dy pikave kryhet shpejt dhe me lehtësi.
Nga aeroporti drejt Portit ofrohet:
- Shërbim taksie 24 orë
- Makina me qira (rent-a-car)
Udhëtarët mund të ndjekin drejtimin për në autostradën Tiranë–Durrës dhe, në rreth-rrotullimin e Vorës ose Qafën e Kasharit, të marrin drejtimin për në Portën nr. 4.
Autostrada dhe Lidhjet Ndërkombëtare
Porti i Durrësit, si porta kryesore detare e Shqipërisë, është pika e parë hyrëse në Adriatik, duke u bërë një nyje e rëndësishme tregtare për rajonin.
Pozicioni gjeostrategjik e bën portin një alternativë të vlefshme për vendet pa dalje në det, si Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilat përfitojnë nga shërbimet e tij të transportit dhe logjistikës.
Autostrada Durrës–Kukës–Kosovë
Kjo vepër madhore inxhinierike lehtëson komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, duke ulur ndjeshëm kostot e transportit dhe duke forcuar lidhjet ekonomike e tregtare.
Itineraret drejt Portit të Durrësit
- Nga Kosova:
Morinë – Kukës – Rrëshen – Laç – Vorë – drejtimi “Port” (200 m para tabelës ndodhet Porta nr. 4). - Nga Mali i Zi:
Hani i Hotit – Koplik – Shkodër – Lezhë – Laç – Vorë – drejtimi “Port” (200 m para tabelës ndodhet Porta nr. 4). - Nga Maqedonia e Veriut:
Qafë Thanë – Librazhd – Elbasan – Peqin – Rrogozhinë – Kavajë – hyrja nr. 4 e Portit të Durrësit. - Nga Greqia (Kapshticë):
Bilisht – Korçë – Pogradec – Librazhd – Elbasan – Peqin – Rrogozhinë – Kavajë – hyrja nr. 4. - Nga Greqia (Kakavijë):
Gjirokastër – Tepelenë – Fier – Lushnjë – Kavajë – Durrës – hyrja nr. 4.
