Historiku

Porti i Durrësit

Historiku i qytetit – port

Durrësi ka një histori 3,000-vjeçare dhe jeta e qytetit në shekuj lidhet ngushtë me portin e ndërtuar pranë tij.

Ai është qyteti më i vlerësuar dhe i më përmendur nga autorët antikë, mesjetarë e modernë, gjeografë, historianë, poetë, filozofë, komediografë, arkeologë, vizitorë apo udhëtarë të ndryshëm.

Qyteti i banuar që në fillimet e tij nga Ilirët Taulantë njihet fillimisht me emrat Epidamn dhe Dyrrah, për të fituar më vonë emrin e sotëm në shqip, Durrës.

Megjithë pushtimet, luftërat apo tërmetet që e kanë goditur, Durrësi dhe porti janë ringritur në të njejtin vend.

Pas 3 mijëvjeçarësh jete të pandërprerë, Durrësi konsiderohet qyteti më i vjetër i bregut lindor të Adriatikut nga Vlora deri në Trieste, që vazhdon të mbijetojë.

Në Muzeun Arkeologjik Kombëtar të qytetit, më i madhi në vendin tonë, janë ekspozuar dëshmi të vijimësisë së jetës qytetare që nga fillimi i mijëvjeçarit të parë p.e.s., ndërsa zbulimet e fundit arkeologjike nënujore kanë provuar rëndësinë e portit në hapësirën detare Mesdhetare.

Relikte të anijeve të lashta, enë qeramike dhe spiranca të anijeve, që datojnë në periudha të ndryshme, deri prej 2,500 vitesh janë zbuluar kohët e fundit në afërsi të Durrësit, duke qartësuar edhe vektorët ekonomikë të shkëmbimeve tregtare detare mes qytetit dhe porteve të rajonit në antikitet dhe në mesjetë.

Durrësi fiton një përmasë tepër të rëndësishme në shekullin e II-të të erës sonë, kur ndërtohet rruga “Egnatia” e cila bashkonte qytetet e perandorisë Romake me kolonitë e saj deri në Kostandinopojë (Stambolli I sotëm).

Rruga “Egnatia”, që fillonte nga Durrësi, e ktheu qytetin në limanin më të rëndësishëm në brigjet e Mesdheut lindor.  

Qyteti dhe porti pranë tij vijojnë ta ruajnë rëndësinë e tyre edhe në periudhën e mesjetës së hershme, dhe po ashtu edhe pas krijimit të shtetit të Arbërit.

Pas pushtimit otoman, në fillim të shekullit të 20-të, porti i Durrësit rifiton gradualisht përmasën e tij ekonomike, edhe falë vendosjes në qytet të detarëve ulqinakë, që u zhvendosën nga Ulqini drejt porteve të Shqipërisë.

Pas viteve 1950 Porti detar njohu një zhvillim të vrullshëm.  Anijet e flotës tregtare, që lundronin nga Durrësi drejt porteve të oqeanit Indian dhe Atlantik transportonin mallra të ndryshme të përpunuara në port.

Edhe sot Durrësi ka pësuar transformime të mëdha si qytet, ndërsa porti është kthyer në një portë të lirë komunikimi paqësor, që synon të lidhë vendet e Ballkanit  me vendet e Europës së Bashkuar BE.

Bashkë me qytetin, edhe porti ka patur një progres të dukshëm, si në infrastrukturë edhe në tekonologji, duke fituar gjithashtu edhe statustin e Autoritetit Portual, si mjaft porte të vendeve të BE.

Pozicioni

Qyteti i Durrësit është i pozicionuar në pjesën veriore të gjirit me të njejtin emër  (gjerësi gjeografike 41° 19′ veri, dhe gjatësi gjeografike 19°27’ lindje).

Ai ndodhet në bregun e detit Adriatik, në jug të qytetit, dhe në pjesën veriore të Gjirit të Durrësit.

Ky gji detar është rreth 18 km i gjatë nga veriu në jug. Në perëndim te vijës ujore thellësia është më shumë se 10m.

Gjiri i Durrësit është i mbrojtur mirë prej erërave veri-perëndimore nga kepi i Durrësit, dhe nga kepi i Lagjit prej erërave jug-lindore.

Gjithashtu porti është i mbrojtur nga lindja dhe perëndimi nga dallgëthyesit e ndërtuar vite më parë.

Gjiri i Durrësit siguron një ankorim të sigurtë në radë, për anijet që presin të përpunohen në port. 

Durrësi, Porti, Turizmi dhe Tradita   

Plazhet me rërë kurative dhe me një pamje tërheqëse, me një gjatësi të përgjithëshme prej 62 km nga Përroi I Agait në jug deri në Kepin e Rodonit në veri, e bëjnë Durrësin një nga qytetet më të frekuentuar turistikë të vendit.

Plazhi tradicional në jug të qytetit, por edhe ai i Currilave apo edhe ai i Lalëzit, si dhe numri i madh i hoteleve dhe i shërbimeve turistike e bëjnë Durrësin një nga zonat më të frekuentuara të vendit.

Vitet e fundit në larminë turistike është shtuar edhe mbërritja e kro[erave dhe jahteve të llojeve të ndryshme, të cilët ankorohen në portin e Durrësit thuajse gjatë gjithë vitit.

Autoriteti Portual  Durrës kujdeset për shërbimet dhe kushtet e hyrje-daljes së mjeteve lundruese, si dhe për sigurinë e turistëve në hapësirën portuale.

Një numër i madh turistësh mbërrijnë në qytet me tragetet e linjave të lundrimit nga Bari, Ankona dhe Trieste (Itali) drejt Durrësit.

Amfiteatri antik, Torra mesjetare dhe Muret bizantine, Forumi rrethor dhe Termat e periudhës romake, Muzeu Arkeologjik dhe ai Etnografik, së bashku me Muzeun “Aleksandër Moisiu”, janë disa nga objektet muzeale të qytetit, më të vizituara nga turistët vendas dhe të huaj.