Informacione mbi Projektin e Portit Tregtar, Porto- Romano, Durrës

Informacione mbi Projektin e Portit Tregtar, Porto- Romano, Durrës

Pas miratimit të Masterplanit të Përditësuar  të portit te ri të Porto Romanos , tashmë jemi në një fazë të avancuar të përgatitjes së projektit teknik dhe dokumentacionit për ndërtimin e Portit të Integruar të Durrësit në Porto Romano. Ky projekt i rëndësishëm i qeverisë shqiptare, ka ngjallur interes të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar. Autoriteti Portual i është pergjigjur çdo kërkese të ardhur nga media të ndryshme për informacion në lidhje me projektin e Portit të Integruar në Porto Romano. Në kuadër të transparencës për çdo fazë zhvillimi të këtij projekti, në respektim të interesimit  të të gjithë publikut të gjerë dhe sidomos të palëve të interesit, po publikojmë një rubrikë të re të dedikuar për konsultim me publikun lidhur me procesin e Vlerësimit të ndikimit në Mjedis sipas Ligjit Nr.10 431, datë 09.06.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, Ligjin Nr.12/2015 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10440, datë: 07.07.2011, “Për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis”, VKM-së Nr. 247 datë 30.04.2014 “Për përcaktimin e rregullave, të kërkesave e të procedurave për informimin dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrjen mjedisore.

1. Pyetjet e bëra më Shpesh – këtu do të gjeni pyetje/përgjigje mbi të gjithë elementët më të rëndësishëm të projektit dhe që më së shumti përbëjnë interes për publikun:

Përse ka lindur nevoja për zhvillimin e projektit?

Qeveria Shqiptare me vendimin nr.1 datë 14 tetor 2020 të Këshillit Kombëtar të Territorit ka miratuar “Planin Sektorial Kombëtar për Transportin Detar dhe Infrastrukturën Portuale”. Plani synon të zhvillojë dhe përmirësojë lidhjen e transportit detar dhe aksesin e Shqipërisë në Evropë dhe ka prioritet zbatimin dhe finalizimin e disa projekteve strategjike që kontribuojnë në:

  • Forcimin e strukturave ekzistuese portuale të porteve me rëndësi kombëtare dhe rajonale me synim rritjen e kapaciteteve të tyre në nivele konkurruese për rajonin e Ballkanit dhe Mesdheut. Rritjen e marinave turistike me qëllim zhvillimin e një sektori elitar të turizmit bregdetar.
  • Zhvillimin e 4 porteve kryesore të Shqipërisë si pikënisje të autostradave detare.

Përse duhet zhvendosur porti nga vendndodhja aktuale?

Janë një sërë faktorësh mjedisorë dhe kufizimesh që e kanë bërë të domosdoshme zhvendosjen e aktiviteteve portuale të cilat në mënyrë të përmbledhur janë:
• Porti përmban me shumicë mallra ndotës si qymyr, çimento dhe skrap pranë zonave urbane në Durrës. Këto operacione reduktojnë cilësinë e ajrit (p.sh. pluhurin) dhe si rrjedhim edhe kushtet e jetesës për qytetarët aty pranë;
• Porti ka infrastrukturë të vjetër dhe hapësirë të kufizuar për t’u zgjeruar pasi është i rrethuar nga zona urbane;
• Porti ka kufizime ndaj lidhjes me zonën në brendësi;
• Ka mungesë të shërbimeve logjistike si magazina rezervë e portit dhe mungesë hapësire për zhvillimin e shërbimeve të tilla në afërsi;

Kush është zhvilluesi i këtij Projekti?

Zhvilluesi i këtij projekti është Autoriteti Portual i Durrësit (APD) i cili menaxhon Portin e Durrësit në bazë të Ligjit për Autoritetin Portual nr.9130 08.09.2003, si një autoritet i pavarur me vetëfinancim gjë që i krijon mundësinë APD për t`iu përgjigjur sa më shpejt dhe direkt nevojave të përdoruesve të Portit dhe sfidave të reja të hapura për Shqipërinë si vend kandidat ne BE.
APD është i vetmi autoritet përgjegjës për aktivitetet dhe shërbimet në Portin e Durrësit si edhe për planifikimet e zhvillimit strategjik duke marrë parasysh interesat e industrisë, biznesit dhe tregtisë.


Si do të arrihen synimet për zhvillimin e projektit?

Plani Afatgjatë i Zhvillimit, përgatitur nga APD (Vendimi nr.10, datë 26 shkurt 2021 i Komitetit Drejtues të Autoritetit Portual Durrës), i rishikuar dhe përditësuar në kuadër të përgatitjes të Projektit të Detajuar Teknik, parashikon që Zona Detare e Portit të Durrësit të jetë me funksione mikse dhe Porti Industrial i Porto Romanos si pjesë e zonës detare të Portit të Durrësit të lidhet me infrastrukturën adekuate dhe të plotësohet me funksionet mbështetëse.

Në zbatim të këtij vendimi, Autoriteti Portual Durrës (APD), nën drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, është angazhuar në detajimin e projektit teknik të Portit të Integruar të Durrësit në Porto Romano i cili do mundësojë fillimin e punimeve për infrastrukturën e re dhe rialokimin e aktiviteteve portuale në zonën industriale të Spitallës në Porto Romano. Për këtë qëllim, Autoriteti Portual i Durrësit (ADP) ka lidhur një kontratë konsulence me nr. 4314 datë 24.12.2021 me bashkimin e operatorëve “HASKONINGDHV NEDERLAND B.V. – ADEC ENGINEERING CONSULTANCY L.L.C. – ABKONS SH.P.K. -TAULANT SH.P.K. – GEO-ENG SH.P.K.”, për përgatitjen e projektit teknik dhe dokumenteve të tenderit për ndërtimin e Portit të Integruar të Durrësit në Porto Romano si edhe pajisjeve/superstrukturës për trajtimin e ngarkesave.

Si do të jetë Porti i Ri?


Përmirësimi i infrastrukturës portuale të Portit të Durrësit synon ndërtimin e një porti detar që respekton parametrat ndërkombëtarë, i cili në vitet në vazhdim do të jetë në gjendje të përballojë kërkesat në rritje për të gjithë vendet e rajonit. Qëllimi final është ai i krijimit të një hapësire logjistike që do të shërbejë si një qendër për rritjen e mëtejshme ekonomike për zonën Tiranë – Durrës. Realizimi i infrastrukturës së re portuale garanton një rritje social ekonomike të konsiderueshme për Shqipërinë dhe e vendos atë si një hallkë kyçe në rrjetin e transportit rajonal.

Kapaciteti vjetor i parashikuar> 2 Milion TEU (Kontejnerë);
> 50 Milion ton (mallra të tjera);
> 1 Milion pasagjerë.
KategoriaInfrastrukturë Detare
Sipërfaqja300 ha
VendndodhjaPorto Romano (Njësia Administrative Katund i Ri, Bashkia Durrës, Qarku Durrës)
Objektet kryesore30+ vend bregëzime;
400+ ha sipërfaqe për terminalet;
Lidhje me infrastrukturën tokësore;
Bazë autonome për Forcën Detare;
Terminal logjistik dhe zonë ekonomike.
Lidhja InfrastrukturorePërmirësimi i lidhjes tokësore që mund të sjellë rritje volumesh.
Integrim më të mirë më rrjetin ekonomik të Ballkanit Perëndimor dhe infrastrukturës parësore të Bashkim Evropian.
Me interes të veçantë janë:
·         Korridori nr.8 (Porto Romano – Shkup & Bullgari);
·         Korridori Porto Romano – Kosovë/Prishtinë.

Në çfarë faze është ky projekt?


Projektimi dhe Vlerësimi i Ndikimit Mjedisor dhe Social për projektin sapo përfunduan.
APD, me mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë do të sigurojë të gjitha miratimet e nevojshme për të realizuar fazat e tenderimit dhe ndërtimit (nga 2023 e në vijim) në varësi të mundësive financiare.


Cilat janë aktivitetet e parashikuara për ndërtimin e projektit?

Projekti i detajuar teknik parashikon ndërtimin e një objekti portual krejtësisht të ri, i cili përfshin të gjitha punimet për realizimin e veprave detare si dallgëthyeset, thellimin e kanalit dhe basenit dhe bonifikimet në disa pjesë, me qëllim krijimin e hapësirave të mjaftueshme për operacionet në terminale dhe për të siguruar një kalim dhe bregëzim të sigurtë për anijet. Faza e parë e ndërtimit përfshin:

  • Ndërtimin e terminalit të kontejnerëve duke përfshirë lidhjen me infrastrukturën rrugore, hekurudhore, rrjetin e kanalizimeve, energjisë elektrike dhe furnizimin me ujë.
  • Ndërtimin e një objekti detar, fushëveprimi i të cilit është ende për t’u përcaktuar.
  • Krijimi dhe ndërtimi i Infrastrukturës dhe objekteve të përbashkëta: vendbregëzimet, ndërtesat e përbashkëta, ndërtesa e zyrave doganore dhe agjencive të tjera, porta kryesore e portit, objektet e sigurisë dhe mbrojtjes civile, zyrat e kapitenerisë së portit dhe kulla e kontrollit të VTS, nënstacione etj.

Çfarë përfitimesh do të sjellë zhvillimi i projektit?


Portet luajnë një rol të rëndësishëm si në shkëmbimin e mallrave në tregun e brendshëm, ashtu edhe në lidhjen e zonave periferike me kontinentin. Ato nuk janë thelbësore vetëm për lëvizjen e mallrave, por sjellin zhvillim ekonomik dhe punësim. Zhvillimi prioritar i një terminali kontejnerësh ndërkombëtar, me ujëra të thella dhe efikas në portin e ri në Porto Romano do të krijojë mundësi për rritjen e tregtisë së kontejnerëve transit dhe mbështetje dhe gjenerim sinergjie për zhvillimin e ndërmarrjeve tregtare dhe industriale portuale.
Faza e ndërtimit do të ofrojë mundësi punësimi dhe biznesi për profesione dhe kategori të ndryshme në sektorët e ndërtimit dhe shërbimeve përkatëse.
Faza e funksionimit do të ofrojë mundësi punësimi të cilat do të krijohen jo vetëm si pasojë e rritjes së kapaciteteve dhe diversifikimit të shërbimeve portuale në portin e ri, por edhe shërbimeve të tjera mbështetëse të cilat do të gjenerohen në zonat në afërsi të portit.


Si mund të përfitoj nga mundësitë që do të krijohen?

Që të jeni të përditësuar me të rejat e fundit në lidhje me kërkesat e projektit për shërbime dhe punësim, rekomandojmë të qëndroni në kontakt me informacionin e ofruar për prokurimet, kontraktorët dhe vendet e lira të punës në Faqen e Internetit të APD dhe Buletinet e Prokurimeve Publike të Agjencisë së Prokurimit Publik.

Si do të sigurohet toka për ndërtimin e Portit në Porto Romano?

Toka për objektet portuale dhe lidhjet rrugore dhe hekurudhore do të shpronësohet (nga pronarët e ligjshëm) prej shtetit nëpërmjet një VKM-je të posaçme dhe bazuar në vlerën e tregut dhe standardet ndërkombëtare.

APD-ja do të sigurojë marrëveshjet e duhura me pronarët e ligjshëm për shitblerjet e tokës dhe për qiramarrjet ose kompensimet e pasurisë personale.

Blerja apo marrja me qira e tokës do të bëhet sipas ligjit Nr. 8561/1999 “Për Shpronësimet”, i ndryshuar me ligjin Nr.11/2020 dhe VKM-ve në zbatim të tij, përfshirë marrjen e të gjitha hapave të mundshëm për mënjanimin e shpronësimit. Për këtë projekt, nevojitet një sipërfaqe toke për elementet e portit.

Ku mund të marr më shumë informacion për projektin?

Autoriteti Portual Durrës ka hapur një faqe të dedikuar për projektin e Portit në Porto Rmano, e cila do të jetë një mjet i dyanshëm i komunikimit me publikun dhe komunitetet e ndikuara nga projekti gjatë gjithë ciklit të zhvillimit të projektit duke përfshirë fazën përgatitore, fazën e ndërtimit, fazën e funksionimit dhe fazën e dekomisionimit. Në këtë aspekt, rekomandohet që për të marrë informacion për projektin ju mund të pyesni përfaqësuesit e bashkisë apo njësisë tuaj administrative ose të vizitoni faqen e internetit të APD për projektin: http://localhost/apd

Ku mund t’i dërgoj pyetjet dhe sugjerimet për projektin?

Gjatë procesit të informimit dhe konsultimeve, në dispozicion të publikut do të jetë “Fleta e Regjistrimit dhe Komenteve” e cila mund të gjendet dhe plotësohet në zyrat e Njësisë Administrative Katund i Ri, Bashkisë Durrës dhe Autoritetit Portual Durrës ose nëpërmjet faqes së Internetit të Projektit https://durresport.al/index.php/ kontakt;

Si të veproj në rast se kam një ankesë?

APD ka vendosur mekanizmin e ankesave i cili do të sigurojë që çdo ankesë e mundshme të mund të adresohet që në fazën e planifikimit të projektit. Përgjigje për pyetjet, rekomandimet dhe funksionimin e mekanizmit të ankesave do të jepen gjatë konsultimeve dhe dëgjesës publikë që do të organizohen për projektin.

APD do të jetë përgjegjës për administrimin e ankesave dhe do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për të adresuar ankesën dhe për të informuar ankuesin për rezultatin e procesit.

Formulari i ankesës mund të gjendet dhe plotësohet në zyrat e Njësisë Administrative Katund i Ri, Bashkisë Durrës dhe Autoritetit Portual Durrës ose nëpërmjet faqes së Internetit të Projektit https://durresport.al/index.php/ kontakt. Formulari i ankesës duhet të plotësohet sipas udhëzimeve, dhe në çdo rast një nëpunës duhet të jetë në dispozicion për të ndihmuar.  

Fleta e Regjistrimit dhe Komenteve – nëpërmjet këtij formulari të thjeshtë publiku i interesuar mund të bëjë komente, pyetje, etj, në lidhje me projektin.

Shkarko Fletën e regjistrimit dhe komenteve Porto Romano.

Fleta e Regjistrimit dhe Komenteve – nëpërmjet këtij formulari të thjeshtë publiku i interesuar mund të bëjë komente, pyetje ,etj , në lidhje me projektin.            Pas plotësimit të Fletës së Regjistrimit dhe Komenteve, formulari i plotësuar duhet të dërgohet në adresën e emailit  [email protected].

Tashmë ka përfunduar procesi i konsultimeve me institucionet shtetërore të impaktuara direkt ose indirekt, për të vijuar me fazën e konsultimeve me grupet e interesit si Dhoma e Tregtisë, shoqëri tregtare, OJF, etj. Ky proces, sipas pëcaktimeve ligjore,  do të finalizohet me dëgjesën publike e cila do të mbahet në datën 7 Dhjetor  2022 , ora 10:00, në ambientet e Kampusit të UAMD (i cili ndodhet në afërsi të zonës ku do të zhvillohet projekti) dhe ku do të marrin përgjigje dhe pytjet e ardhura në adresën e mësipërme të emailit.