MISIONI & VIZIONI
Porti i Durrësit është porti kryesor i Shqipërisë si dhe një nga portet më të mëdha në zonat detare Adriatiko-Joniane dhe përbën sot një realitet rajonal dhe europian. Pavarësisht avantazheve që ofron pozicionimi i favorshëm rajonal, situata financiare dhe treguesit ekonomikë të Portit të Durrësit janë të lidhura ngushtë jo vetëm me ekonominë e Shqipërisë por edhe me atë të vendeve partnere.
OBJEKTIVAT AKTUALE:
– Optimizimi i të ardhurave dhe ulja e shpenzimeve operative;
– Zbatimi i Masterplanit 2030: vijimi i ndërtimit të Ballinës Ujore – Marina e Durrësit dhe nisja e ndërtimit të Portit të ri tregtar në Porto Romano;
– Reforma e administrimit portual dhe harmonizimi i tarifave;
– Konsolidimi i sigurisë portuale dhe kibernetike;
– Kualifikimi i personelit, inovacioni dhe bashkëpunimi ndërkombëtar;
NJË AUTORITET DY PORTE
Me Vendim të Këshillit të Ministrave, datë 08.05.2024, Autoriteti Portual Durrës funksionon mbi bazën e statutit të ri, sipas të cilit:
- Synohet konkretizimi i strategjisë së Qeverisë shqiptare për zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës portuale dhe transportit detar
- Krijimi i një Autoriteti Portual të vetëm për të dyja portet ekzistuese në Durrës dhe Porto Romano, i cili i jep kompetencat e nevojshme Autoritetit Portual Durrës që të përfaqësojë interesat shtetërore në zhvillimin e të dyja porteve;
- Konsolidimi i disa porteve nën një ombrellë administrimi është model tashmë i sprovuar në shumë vende të BE-së (Itali, Francë, Belgjikë, Estoni) gjatë viteve të fundit;
- Përforcimi i rolit të shtetit si pronar i infrastrukturës në tërësinë e kompleksit portual në Durrës dhe Porto Romano dhe si rregullator i aktivitetit ekonomik, duke i lënë privatit përgjegjësinë e operimit të terminaleve, nga të cilët Autoriteti Portual lëvron të ardhura përmes tarifave portuale;
Nëpërmjet këtij statuti APD ngarkohet për tu shndërruar në një instrument të ligjzbatimit në ekonominë blu:
- Ndryshim i modelit ekonomik: statuti e transformon APD nga një kompani ngarkim shkarkimi në një ent zhvillues të pronës shteterore e cila nuk tjetërsohet asesi por vendoset në funksion të aktivitetit logjistik duke synuar që Shqipëria të bëhet tërheqëse për kompani ndërkombëtare që prodhojnë vlerë të shtuar ekonomike në zonat portuale, kjo do të rrisë të ardhurat e APD dhe do ta pavarësojë ekonomikisht;
- Modernizimi i infrastrukturës dhe fuqizimi i zinxhirëve të furnizimit si detyrë parësore e Autoritetit Portual: statuti i jep APD për detyrë të bashkërendojë punën për zhvillimin e infrastrukturës portuale në Durrës me dy porte të specializuara: një port turistik dhe një port mallrash si portë hyrëse e Korridorit VIII dhe zinxhirëve të furnizimit në Europën Jug Lindore;
- APD si ent rregullator: gjithashtu detyrë e rendësishme mbetet harmonizimi i tarifave portuale të terminaleve në të dyja portet për të ofruar konkurrencë të lirë dhe të ndershme si dhe krijimi i marrëdhënieve kontraktore me operatorët e licensuar nga MIE (pilotët, ormexhuesit, rimorkiatorët etj.)
Dixhitalizimi dhe ulja e barrierave për transportuesit: APD do të drejtojë punën e enteve publike dhe private me interesa dhe aktivitet në portet tona për Krijimin e Dritares Unike Detare. Ky detyrim që buron nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian, hap siparin e dixhitalizimit të shërbimeve portuale dhe lehtësimit të procedurave për transportuesit vendas dhe ndërkombëtarë.