Politika e Sigurisë së Informacionit
Autoriteti Portual Durrës (APD) Si institucioni që administron portin më të madh të Republikës së Shqipërisë, Autoriteti Portual Durrës është i përkushtuar ndaj standardeve më të larta të sigurisë dhe mbrojtjes së informacionit.
Në cilësinë e një infrastrukture kritike kombëtare, sigurojmë konfidencialitetin, integritetin, disponueshmërinë dhe kontrollin e informacionit për të gjitha palët e interesuara – punonjës, klientë dhe përdorues të portit.
Sistemi ynë i Menaxhimit të Sigurisë së Informacionit zbatohet në përputhje me Standardin Ndërkombëtar ISO 27001, duke garantuar mbrojtje dhe transparencë të plotë në trajtimin e të dhënave.
Angazhimi Ynë
- Mbrojtje e informacionit – Sigurojmë që të gjitha të dhënat të jenë të mbrojtura nga aksesi, përdorimi apo modifikimi i paautorizuar.
- Përputhje ligjore dhe standarde ndërkombëtare – Zbatojmë legjislacionin kombëtar dhe udhëzimet ndërkombëtare për sigurinë e informacionit dhe sigurinë kibernetike.
- Bashkëpunim institucional – Punojmë ngushtësisht me agjencitë qeveritare për të garantuar nivelet më të larta të mbrojtjes së infrastrukturës kritike.
- Menaxhim i riskut – Identifikojmë, vlerësojmë dhe trajtojmë risqet që lidhen me informacionin përmes planeve të qarta veprimi.
- Përmirësim i vazhdueshëm – Vendosim objektiva të matshëm dhe kryejmë auditime e testime periodike për të forcuar sigurinë e sistemit.
- Ndërgjegjësim dhe trajnim – Ofruam trajnime dhe promovojmë kulturën e përgjegjësisë ndaj sigurisë së informacionit për punonjësit, kontraktorët dhe partnerët tanë.
- Transparencë dhe komunikim – Publikojmë dhe komunikojmë këtë politikë në të gjitha mjediset e punës dhe në faqen tonë zyrtare, duke inkurajuar raportimin e çdo shkeljeje aktuale ose të dyshuar.
- Burime të dedikuara – Sigurojmë resurset njerëzore dhe teknike të nevojshme për zbatimin efektiv të politikës.
Fusha e Zbatimit
Kjo politikë është e detyrueshme për të gjithë punonjësit e Autoritetit Portual Durrës, si dhe për kontraktorët, nënkontraktorët dhe palët e interesuara që kanë akses në informacionet e administruara nga APD.
Ajo zbatohet në të gjitha vendndodhjet dhe asetet e informacionit të institucionit dhe mbështetet nga procedura dhe dokumente të brendshme që mbulojnë çdo aspekt të sigurisë së informacionit.
Autoriteti Portual Durrës – Për një port të sigurt, transparent dhe të mbrojtur në çdo nivel informacioni.
Politika ndaj Përdorimit të Substancave të Ndaluara dhe Pijeve Alkoolike
Autoriteti Portual Durrës (APD)
Autoriteti Portual Durrës është i përkushtuar të garantojë shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e punonjësve, kontraktorëve dhe komunitetit të tij.
Si institucion që operon në një mjedis me standarde të larta sigurie, APD njeh përgjegjësinë për të ofruar një vend pune të sigurt, të shëndetshëm dhe produktiv, ku çdo punonjës të jetë i aftë për të përmbushur detyrat e tij pa ndikime të jashtme.
Qëllimi i Politikës
Kjo politikë synon të:
- Promovojë shëndetin dhe sigurinë në vendin e punës;
- Minimizojë risqet që lidhen me përdorimin e substancave të ndaluara dhe pijeve alkoolike;
- Sigurojë që punonjësit të jenë të përshtatshëm për detyrë në çdo kohë;
- Theksojë pritshmëritë e sjelljes profesionale brenda dhe jashtë vendit të punës;
- Sqarojë pasojat disiplinore që rrjedhin nga shkelja e kësaj politike.
Kjo politikë mbështet Politikën e Shëndetit dhe Sigurisë në Punë dhe Politikën e Mjedisit të APD, duke kontribuar në një kulturë të përgjegjshme dhe të qëndrueshme sigurie.
Parimi i Tolerancës Zero
APD zbaton një politikë të tolerancës zero ndaj përdorimit të substancave të ndaluara dhe pijeve alkoolike në çdo situatë që lidhet me punën.
Rreptësisht ndalohet:
- Konsumimi ose të qenurit nën ndikimin e substancave të ndaluara apo alkoolit;
- Zotërimi, shpërndarja, ofrimi ose shitja e tyre në ambientet e APD-së;
- Të qenurit i papërshtatshëm për detyrë si pasojë e konsumimit të tyre.
Këto ndalime vlejnë për të gjithë punonjësit dhe kontraktorët gjatë:
- Orarit të punës;
- Operimit të automjeteve dhe pajisjeve të APD-së;
- Pjesëmarrjes në aktivitete të sponsorizuara ose përfaqësuese të APD-së;
- Çdo veprimtarie që përfaqëson institucionin në marrëdhënie biznesi.
Përgjegjësia dhe Zbatimi
Çdo punonjës dhe bashkëpunëtor i APD-së duhet të paraqitet në punë plotësisht i aftë për detyrë dhe të ruajë këtë gjendje gjatë gjithë orarit të punës.
Shkeljet e kësaj politike do të trajtohen me masa disiplinore, përfshirë edhe ndërprerjen e marrëdhënieve të punësimit ose bashkëpunimit, në përputhje me legjislacionin për shëndetin dhe sigurinë në punë si dhe me Kodinin Penal të Republikës së Shqipërisë.
Angazhimi i APD-së
Kjo politikë synon të ruajë ekuilibrin mes respektit për individin dhe përgjegjësisë institucionale për të mbrojtur një mjedis pune të sigurt, të shëndetshëm dhe pa ndikimin e substancave të ndaluara.
Autoriteti Portual Durrës- Për një mjedis pune të sigurt, të përgjegjshëm dhe pa substanca të ndaluara.
Politika e Integruar e Sistemit të Menaxhimit (SIM)
Autoriteti Portual Durrës (APD)
Autoriteti Portual Durrës, si administrues i portit më të madh të Republikës së Shqipërisë, është i përkushtuar të arrijë standardet më të larta të performancës në menaxhimin e Cilësisë, Mjedisit, Energjisë dhe Shëndetit e Sigurisë në Punë.
Qëllimi ynë është të ofrojmë shërbime të sigurta, cilësore dhe të qëndrueshme, duke respektuar parimet e përgjegjësisë sociale dhe mbrojtjes së mjedisit.
Sistemi ynë i Integruar i Menaxhimit (SIM) na mundëson të operojmë në mënyrë më eficiente, të sigurt dhe të përgjegjshme, duke përmirësuar vazhdimisht cilësinë e shërbimeve dhe mirëqenien e punonjësve tanë.
Angazhimi ynë
- Siguri, shëndet dhe mirëqenie – Garantojmë një ambient pune të sigurt, pa rreziqe për shëndetin dhe mjedisin, për të gjithë punonjësit dhe palët e interesuara.
- Përputhje ligjore dhe standarde ndërkombëtare – Zbatojmë legjislacionin dhe praktikat më të mira ndërkombëtare për cilësinë, mjedisin, energjinë dhe sigurinë.
- Zbatim i sistemit të integruar të menaxhimit – Operojmë në përputhje me standardet:
- ISO 9001 (Cilësia)
- ISO 14001 (Mjedisi)
- ISO 45001 (Shëndeti dhe Siguria në Punë)
- ISO 50001 (Energjia)
- Menaxhim i riskut – Identifikojmë, vlerësojmë dhe kontrollojmë risqet që lidhen me performancën tonë, duke zbatuar plane të përshtatshme për zbutjen e ndikimeve.
- Përmirësim i vazhdueshëm – Vendosim dhe rishikojmë objektiva periodikë për përmirësimin e sistemit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
- Auditime dhe trajnime – Kryejmë auditime të rregullta dhe trajnime për forcimin e kulturës së cilësisë, sigurisë dhe ndërgjegjësimit mjedisor.
- Ndërgjegjësim dhe bashkëpunim – Komunikojmë këtë politikë përmes faqes zyrtare, aktiviteteve informuese dhe bashkëpunimit me kontraktorët, furnitorët e klientët, duke inkurajuar zbatimin e praktikave të qëndrueshme.
Përkushtimi për Mjedisin dhe Energjisë Efikase
- Parandalojmë ndotjen, menaxhojmë mbetjet dhe redukojmë emetimet e CO₂.
- Promovojmë përdorimin efikas të burimeve natyrore dhe burimeve të ripërtëritshme të energjisë.
- Mbështesim prokurimin e produkteve dhe shërbimeve efiçiente energjikisht, duke integruar performancën energjetike në proceset tona operacionale.
- Synojmë bashkëjetesën e qëndrueshme të portit me qytetin, duke forcuar lidhjet me komunitetin lokal dhe strukturat shoqërore.
Burime dhe Mbështetje
APD garanton burimet njerëzore, teknike dhe financiare të nevojshme për zbatimin e kësaj politike dhe për mbështetjen e objektivave të saj strategjike.
Autoriteti Portual Durrës- Për një port cilësor, të qëndrueshëm dhe të sigurt.
POLITIKA LIDHUR ME DISKUTIMET SENSITIVE NË VENDIN E PUNËS
Autoriteti Portual Durrës (APD)
Në Autoritetin Portual Durrës (APD) ne e vlerësojmë diversitetin dhe individualitetin e punonjësve tanë — si në aspektin profesional ashtu edhe në atë personal, përfshirë mendimet, bindjet dhe përkatësitë e tyre.
Kjo shumëllojshmëri është një vlerë themelore që kontribuon në suksesin dhe zhvillimin e organizatës sonë. Megjithatë, diskutimet me karakter sensitiv, si ato politikë, fetar, racor, gjinor apo të çdo lloji tjetër, mund të krijojnë situata shpërqendruese dhe të ndikojnë negativisht në Cilësinë, Sigurinë dhe Produktivitetin e punës në APD.
Qasja e APD-së
APD synon të sigurojë një ambient pune profesional, të sigurt dhe gjithëpërfshirës, ku çdo punonjës ndihet i respektuar dhe i trajtuar me dinjitet.
Diskutimet sensitive në ambientet e punës mund të:
- krijojnë tensione apo keqkuptime mes punonjësve,
- ndikojnë në përqendrimin dhe efikasitetin e punës,
- krijojnë perceptime të padrejta për favorizime ose diskriminim,
- apo të rrezikojnë reputacionin dhe integritetin e institucionit.
Për këtë arsye, APD kërkon që të gjitha bisedat me karakter sensitiv të mos zhvillohen në ambientet e punës apo në hapësirat e përbashkëta të institucionit.
Udhëzimet e APD-së
Punonjësit inkurajohen të tregojnë kujdes, respekt dhe ndjeshmëri për mendimet dhe bindjet e kolegëve të tyre.
Nëse dëshirohet të diskutohet për tema politike, fetare apo të tjera të ndjeshme, këto duhet të zhvillohen jashtë ambienteve të APD-së dhe jashtë orarit zyrtar të punës.
Çdo komunikim në ambientet e APD-së duhet të jetë i përqendruar në detyrat profesionale dhe në përmbushjen e objektivave të përbashkëta të institucionit.
Toleranca, respekti dhe profesionalizmi janë vlerat që duhet të udhëheqin çdo ndërveprim ndërpersonal në punë.
Përkushtimi i APD-së
Autoriteti Portual Durrës mbetet i përkushtuar për të trajtuar të gjithë punonjësit, kontraktorët, bashkëpunëtorët dhe palët e treta në mënyrë të barabartë, pa asnjë dallim politik, fetar, racor, gjinor apo të çdo lloji tjetër.
APD është dhe do të mbetet një mjedis pune neutral, profesional dhe i respektueshëm, ku të gjithë kontribuojnë në mënyrë të barabartë në misionin e institucionit.
Përfundim
APD respekton lirinë e mendimit dhe të shprehjes së çdo punonjësi, por kërkon që kjo liri të ushtrohet me përgjegjësi, etikë dhe në kohën dhe vendin e duhur.
Në çdo rast, punonjësit e APD-së duhet të mbajnë një sjellje etike dhe tolerante, në përputhje me vlerat, traditën dhe kulturën institucionale të Autoritetit Portual Durrës.
Autoriteti Portual Durrës- Për një ambient pune të respektueshëm, të sigurt dhe profesional.
