Siguria Navigacionale

Siguria navigacionale në Portin e Durrësit garantohet nga:

Sinjalistika detare (fenerët ndricues) e cila mbulohet nga Shërbimi Hidrografik Shqiptar dhe orienton drejt të gjitha anijet (mjetet lundruese) që i afrohen portit dhe radës së Durrësit për të shmangur përplasjet apo rënien në cekëtinë.
Të dhëna më të hollësishme mbi sa më sipër janë të pasqyruara në hartat navigacionale të cilat disponohen nga Shërbimi Hidrografik.
Shërbimi i pandërprerë i monitorimit të trafikut detar në Kapitenerinë e Portit ka instruksion të detajuar mbi detyrat që duhet të kryejë gjatë komunikimit me anijet(mjetet lundruese) që i afrohen portit apo radës së Durrësit për ti orientuar në funksion të manovrave të sigurta për qëndrim në radë(spirancë)apo hyrje në port.

Shërbimi i pilotim-omerxhimit.

Ruajtja dhe mirëmbajtja në vazhdimësi e basenit ujor brenda portit (akuatoriumit)nga rënia , hedhja e materialeve apo ngarkesave të forta, zhvendosja e mjeteve lundruese që mbyten, si dhe e kanalit të hyrjes.
Bashkëveprimi me APD-në për krijimin e kushteve dhe riparimin e defekteve në rast të dëmtimit të kalunjve në kalata, gomave mbrojtëse, përdorimit të fenerëve etj.
Shfrytëzimi i kapaciteteve riparuese të anijeve(mjeteve lundruese) të kantierit detar Durrës-Kurum për raste rutinë( të planifikuara) dhe të rastit.
Shfrytëzimi i kalatës së pritjes për veprime parapregatitore të anijeve për lundrim.

Dispeçeria Qendrore e Portit të Durrësit është zemra operacionale e menaxhimit të lëvizjeve detare në port. Duke funksionuar 24 orë në ditë, 365 ditë në vit, ajo garanton rrjedhën e sigurt dhe të koordinuar të anijeve gjatë akostimit, përpunimit dhe largimit nga porti. Me një staf të kualifikuar dhe teknologji bashkëkohore, dispeçeria siguron që çdo operacion të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta të sigurisë navigacionale dhe efikasitetit operacional.

Misioni ynë

Të garantojmë një menaxhim të centralizuar, të saktë dhe të pandërprerë të operacioneve portuale, duke vendosur sigurinë navigacionale dhe bashkëpunimin ndërmjet të gjitha strukturave si prioritet kryesor. Dispeçeria Qendrore synon të sigurojë funksionim të harmonizuar ndërmjet terminaleve, kompanive të ngarkim-shkarkimit dhe institucioneve portuale, për një shërbim të sigurt dhe të qëndrueshëm detar.

Vizioni ynë

Të zhvillohemi si një qendër moderne dhe inovative e kontrollit operativ dhe sigurisë navigacionale në Portin e Durrësit. Synojmë të forcojmë pozicionin e portit si porta kryesore detare e vendit dhe si një nyje strategjike në rajonin Adriatiko-Jonian, përmes teknologjisë së avancuar, profesionalizmit dhe përkushtimit ndaj sigurisë, transparencës dhe shërbimit cilësor.