Misioni
Misioni ynë është të sigurojmë një port modern, efikas dhe të qëndrueshëm, që ofron shërbime cilësore për transportin detar dhe logjistikën, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në forcimin e pozicionit të Shqipërisë si një nyje e rëndësishme tregtare në rajon. Gjithashtu synojmë të operojmë me standardet më të larta të sigurisë, profesionalizmit dhe përgjegjësisë sociale, duke krijuar vlera të qëndrueshme për partnerët, klientët dhe komunitetin tonë.
Vizioni
Vizioni ynë është të bëhemi porta kryesore detare e Europës Jug Lindore dhe një model i zhvillimit të qëndrueshëm portual në rajon. Ne aspirojmë që Porti i Durrësit të jetë një qendër bashkëkohore, e digjitalizuar dhe miqësore me mjedisin, që lidh njerëzit dhe tregjet me efikasitet, transparencë dhe inovacion.
NJË AUTORITET DY PORTE
Me Vendim të Këshillit të Ministrave, datë 08.05.2024, Autoriteti Portual Durrës funksionon mbi bazën e statutit të ri, sipas të cilit: Synohet konkretizimi i strategjisë së Qeverisë shqiptare për zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës portuale dhe transportit detar;
Krijimi i një Autoriteti Portual të vetëm për të dyja portet ekzistuese në Durrës dhe Porto Romano, i cili i jep kompetencat e nevojshme Autoritetit Portual Durrës që të përfaqësojë interesat shtetërore në zhvillimin e të dy porteve;
Përforcimi i rolit të shtetit si pronar i infrastrukturës në tërësinë e kompleksit portual në Durrës dhe Porto Romano dhe si rregullator i aktivitetit ekonomik, duke i lënë privatit përgjegjësinë e operimit të terminaleve, nga të cilët Autoriteti Portual lëvron të ardhura përmes tarifave portuale.
Nëpërmjet këtij statuti APD ngarkohet për tu shndërruar në një instrument të ligjzbatimit në ekonominë blu:
Ndryshim i modelit ekonomik: statuti e transformon APD nga një kompani ngarkim shkarkimi në një ent zhvillues të pronës shteterore e cila nuk tjetërsohet, por vendoset në funksion të aktivitetit logjistik duke synuar që Shqipëria të bëhet tërheqëse për kompani ndërkombëtare që prodhojnë vlerë të shtuar ekonomike në zonat portuale, kjo do të rrisë të ardhurat e APD.
Modernizimi i infrastrukturës dhe fuqizimi i zinxhirëve të furnizimit si detyrë parësore e Autoritetit Portual: statuti i jep APD për detyrë të bashkërendojë punën për zhvillimin e infrastrukturës portuale në Durrës me dy porte të specializuara: një port turistik dhe një port mallrash si portë hyrëse e Korridorit VIII dhe zinxhirëve të furnizimit në Europën Jug Lindore.
