Më shumë se 37.400 udhëtarë me rreth 7873 autovetura, në 11 ditët e para të vitit 2016 kanë shfrytëzuar tragetet nga Durrësi drejt porteve të Italisë dhe anasjelltas. Përpunimi i udhëtarëve dhe automjeteve është kryer shumë shpejt dhe tragetet e linjave janë nisur përgjithësisht sipas grafikut.
Sipas të dhënave operative të APD, mbi 80 përqind e udhëtarëve, kryesisht bashkëatdhëtarë nga vendi ynë, Kosova dhe Maqedonia janë rikthyer nga Durrësi me tragete drejt vendeve të Evropës perëndimore ku jetojnë dhe punojnë. Nga 1-11 janar të këtij viti, 30.098 udhëtarë vendas dhë të huaj me 6433 autovetura janë nisur drejt porteve të Barit, Ankonës dhe Brindizit. Ndërkaq në Durrës kanë mbërritur 1112 automjete dhe 7317 udhëtarë, një pjesë e të cilëve shqiptarë që kanë festuar pranë të afërmve të tyre jashtë vendit.
Gjatë kësaj periudhe 11-ditore tragetet kanë kryer 34 lundrime vajtje-ardhje, dhe përveç udhëtarëve dhe autoveturave janë transportuar 991 kamjonë dhe trajlerë me mallra të ndryshme. Në vazhdim të muajit janar pritet që numri i udhëtarëve dhe automjeteve të normalizohet.
Gjatë vitit 2015 tragetet janë shfrytëzuar nga 774.411 udhëtarë gjithsej, si dhe kanë transportuar më shumë se 744 mijë ton mallra të ndryshme.