20.11.2024
Autoriteti Portual Durrës vijon kontrollet për garantimin e sigurisë në territorin portual, me fokus respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor dhe të standardeve të sigurisë teknike.
Në kuadër të këtyre kontrolleve, Forca e Sigurisë Portuale, në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit dhe specialistët e sigurimit teknik të APD-së, verifikuan dokumentacionin teknik të mjeteve, mënyrën e sigurimit të ngarkesave, si dhe respektimin e kufijve të shpejtësisë gjatë lëvizjes në territorin portual.
Për shkeljet e konstatuara gjatë verifikimeve, Policia e Shtetit vendosi masat administrative përkatëse.
Kontrollet janë pjesë e planit të vazhdueshëm të sigurisë në Portin e Durrësit dhe synojnë parandalimin e shkeljeve, rritjen e ndërgjegjësimit të drejtuesve të mjeteve dhe garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë përdoruesit e territorit portual.
Autoriteti Portual Durrës u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë në port të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe kërkesat e sigurisë teknike.


