Gjatë periudhës 1 – 19 mars në portin e Durrësit përpunohen 5 anije të tonazhit të madh. Anijet që po ankorohen në Terminalin Lindor ngarkojnë dhe shkarkojnë afro 64 mijë ton mallra të ndryshme, si çimento për eksport, qymyr dhe tuba importi.
Në Qendrën e Informacionit në APD mësohet se që nga fillimi i muajit anija “Sirios Cement” është ankoruar dy herë në Terminalin Lindor dhe është ngarkuar me 25 mijë ton çimento rinfuzo eksporti gjithsej, prodhim i fabrikave pranë Fushë Krujës.
Ndërkaq ka përfunduar edhe shkarkimi i anijes “Sunshine”, e cila ka sjellë mbi 12 mijë ton tuba për Gazsjellësin TAP, që kalon nëpër vendin tonë. Në radën e portit ka mbërritur gjithashtu edhe anija “Nereus”, nga e cila pritet të shkarkohen 11 mijë ton qymyr. Në fundjavë pritet edhe anija “Agia Ekaterini”, e cila do të shkarkojë gjithashtu 16 mijë ton qymyr gjithsej.