1-28 shtator 2016: Në port priten 9 kroçera dhe velierë

Mars – gusht 2016, më shumë krocera dhe turistë se gjatë gjithë vitit 2015

Në portin e Durrësit vetëm gjatë muajit shtator të këtij viti do të ankorohen 9 kroçera dhe velierë me kapacitet nga 60-1500 udhëtarë. Kroçerat “Azamara Jorney”, “MS Explorer”, “Thomas celebration”, “MS Albatros”, “MS Azora”, “Prinsendam”, “Ocean Majesty, “Sirena” dhe velieri “Sea Cloud”, do të ankorohen në kalatat 4 dhe 5 në datat 1, 6, 13, 14, 17, 23, 26, 27 dhe 28 shtator.

Bashkë me to do të ankorohen edhe disa velierë luksozë, që prej disa vitesh ndalojnë në portin më të madh të vendit.

Kroçerat që kryejnë ture adriatiko-joniane në portin e Durrësit nga 26 marsi i këtij viti deri në fund të muajit gusht kanë sjellë në qytetin bregdetar 8580 udhëtarë, ose 520 turistë më shumë se sa gjatë gjithë vitit 2015.

Nga të njejtat burime mësohet se kroçerat e këtij viti kanë gjatësi nga 140 deri në 215 metra. Pjesa dërmuese e tyre si “MS Berlin”, “Thomson celebration”, “MS Sirena”, “MS Explorer”, “MS Albatros” dhe “MS Seven Seas Navigator” kanë lundruar për herë të parë drejt Durrësit.

Megjithëse Durrësi është një port përpunimi mallrash, Autoriteti Portual APD ka marrë të gjitha masat për ankorimin e kroçerave në kalatat qendrore 4 dhe 5, si dhe për lehtësimin e lëvizjes së turistëve në hapësirën portuale gjatë qëndrimit prej 10-14 orë në Durrës. Kohët e fundit nga kalata 5 janë spostuar në kalatën 2 pesë siloset e grurit, duke krijuar kushte të favorshme për ankorimin e kroçerave.