– 12 jahte më shumë se në të njejtën periudhë 2017-
Që nga fillimi i vitit 2017 deri më 18 maj në kalatat e portit të Durrësit, përveç trageteve, kroçerave dhe anijeve tregtare, janë ankoruar 33 jahte turistike, drejtuesit e të cilave pasi kanë marrë shërbimet përkatëse kanë vizituar edhe qytetin-port.
Nga Sektori i Statistikave në APD, mësohet se numri i jahteve që kanë mbërritur në port gjatë kësaj periudhe është më i lartë se sa ai i shënuar në të njejtën periudhë të vitit 2016. Nga 1 janari deri më 18 maj të vitit të kaluar në portin e Durrësit ishin ankoruar vetëm 21 jahte, ose 12 jahte më pak se në të njejtën periudhë të këtij viti. Ato janë ankoruar kryesisht në kalatat 1, 2, 4, apo 5 të Terminalit perëndimor, që administrohet nga APD.
Nga Qendra e Informacionit, mësohet se trafiku portual i jahteve turistike është më i ngjeshur nga fillimi i muajit korrik deri në fund të muajit gusht. Sipas specialistëve portualë, kohëqëndrimi i tyre në Durrës zgjat nga 4-5 orë deri në 3-6 ditë. Gjatë viteve të fundit në portin më të madh të vendit janë ankoruar mesatarisht 220 jahte turistike në vit.