Në prag të sezonit turistik 2016 Autoriteti Portual vazhdon të punojë për zbatimin e planit të masave, që ka hartuar në bashkërendim me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik,Turizmit, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes, Ministrinë e Brendshme, Drejtorinë e Përgjithshme Detare, Agjencinë Kombëtare e Bregdetit, si dhe një sërë dikasteresh të tjera.
Pranë Terminalit të Trageteve po punohet për shtimin e sinjalistikës dhe tabelave në shërbim të udhëtarëve, si dhe për afishimin e numrave telefonikë të emergjencës për turistët.
Gjatë periudhës së pikut të trageteve dhe udhëtarëve janë marrë masa për shtimin e personelit të Forcës së Sigurisë Portuale, si dhe për alokimin e sipërfaqeve për parkimin e automjeteve, pranë Terminalit të Trageteve.
APD ka kërkuar nga konçesionari Albanian Ferry Terminal Operator (AFTO) vendosjen e tabelave të informacionit si dhe të tabelave portative gjatë gjithë sezonit. AFTO gjatë stinës së verës do të shtojë personelin e saj në Terminalin e Trageteve.
Nëse fluksi i udhëtarëve do të jetë shumë i madh do të ketë edhe shtesa të sporteleve të kontrollit kufitar në shërbim të qytetarëve. Shërbimi 24-orësh i Urgjencës mjeksore të APD në Terminalin e udhëtarëve është një tjetër masë, që ka nisur të realizohet.Vendosja e koshave shtesë për mbeturinat si dhe monitorimi e ruajtja e standarteve mjedisore përbëjnë detyra të tjera në zbatim e sipër.
Gjatë periudhës korrik – gusht 2015 tragetet e linjave Durrës – Bari, Durrës – Ankona dhe Durrës – Triste janë shfrytëzuar nga rreth 335 mijë udhëtarë.
Hartimi i masave për sezonin turistik ka nisur në mars të këtij viti dhe ndërkohë janë realizuar një sërë veprimtarish në mbështetje të këtij Plani, që po zbatohet në periudhën 10 korrik-15 shtator 2016.