Gjatë periudhës së fundit 9-ditore tragetet që nisen dhe mbërrijnë në Durrës janë shfrytëzuar nga 72.684 udhëtarë gjithsej, pjesa më e madhe e të cilëve janë nisur drejt porteve të Barit, Ankonës dhe Triestes (Itali).
Sipas të dhënave të Autoritetit Portual, që nga mesi i muajit gusht numri i udhëtarëve në nisje nga Durrësi ka ardhur duke u rritur. Çdo ditë në portin më të madh të vendit kanë mbërritur 5-7 tragete, dhe po aq janë nisur drejt Italisë, duke kryer edhe 2-3 lundrime shtesë në raport me ditët normale.
Gjatë periudhës 19 – 27 gusht 2015 mbi 88 përqind e numrit të përgjithshëm të udhëtarëve janë nisur me tragete drejt Italisë, ndërsa pjesa tjetër i kanë shfrytëzuar mjetet e mëdha lundruese për të ardhur në Durrës. Shumica e udhëtarëve janë bashkëatdhetarë që kaluan pushimet pranë familjeve të tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni.
63.956 udhëtarë me 13.985 autovetura janë nisur gjatë këtyre 9 ditëve nga Durrësi drejt porteve të Italisë, ndërsa udhëtarët që kanë ardhur në Durrës janë vetëm 8.728.
Në Terminalin e trageteve koha e përpunimit të udhëtarëve dhe automjeteve ka qenë mjaft e shkurtër, falë kordinimit nga APD dhe bashkëpunimit të institucioneve të Kapitenerisë, Policisë rajonale të kufirit dhe migracionit, Doganës dhe Agjencive të lundrimit.