21 – 28 korrik: Në port 27 tragete me afro 20 mijë udhëtarë

Në portin e Durrësit gjatë periudhës 21-28 korrik kanë mbërritur 27 tragete, me afro 20 mijë udhëtarë dhe mbi 5 mijë automjete gjithsej. Çdo ditë në Durrës mbërrijnë me tragete qindra bashkëatdhetarë, të cilët duke përfituar nga pushimet verore vazhdojnë më pas udhëtimin drejt qyteteve të vendlindjes në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Sipas të dhënave të sektorit të statistikave, gjatë 8 ditëve të fundit në Durrës kanë mbërritur me tragete 19.873 udhëtarë me 4.351 autovetura gjithsej. Ndërkaq me tragetet e linjave nga Bari, Ankona, Brindizi dhe Trieste kanë mbërritur gjithashtu 686 kamjonë dhe 78 trajlerë me mallra.

Në grafikun e lundrimeve janë parashikuar edhe disa tragete shtesë, lëvizja e të cilëve nuk ka krijuar vonesa në mbërritjet dhe nisjet e trageteve. Ditën e djelë në portin më të madh të vendit janë ankoruar 6 tragete, ndërsa gjatë javës numri i trageteve me udhëtarë ka qenë nga 3 – 4.