05.01.2026
Autoriteti Portual Durrës informon publikun dhe median se, si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike të regjistruara gjatë mbrëmjes së datës 4 janar 2026, një nga tragetet e planifikuara për lundrim në linjën Durrës–Bari nuk ka mundur të realizojë nisjen sipas orarit të parashikuar.
Menjëherë pas krijimit të situatës, Autoriteti Portual Durrës, në bashkëpunim të ngushtë me kompanitë e lundrimit dhe strukturat përgjegjëse, ka ndjekur nga afër menaxhimin e fluksit të udhëtarëve dhe operacioneve portuale. Udhëtarët e prekur janë asistuar nga kompanitë përkatëse, të cilat kanë marrë masat e nevojshme për sistemimin dhe ridrejtimin e tyre në nisjet pasuese, në përputhje me rregulloret dhe detyrimet kontraktuale në fuqi.
Situata e përditësuar e lëvizjes së trageteve për datën 5 janar 2026 paraqitet si më poshtë:
🚢 Rigel VII – Mbërriti në Portin e Durrësit në orën 11:00 dhe parashikohet të niset në orën 13:00
🚢 Rigel V – Parashikohet të mbërrijë rreth orës15:00 dhe të niset rreth orës 23:00
🚢 Rigel III – Parashikohet të mbërrijë rreth orës 21:00 dhe të niset rreth orës 01:00
🚢 GNV Cristal – Nisje e planifikuar në orën 23:00
🚢 AF Mia – Parashikohet të mbërrijë nga Bari në orën 15:00 dhe të niset drejt Ancona rreth orës 17:00
Autoriteti Portual Durrës vijon monitorimin e vazhdueshëm të kushteve meteorologjike dhe të lëvizjes së mjeteve detare, në koordinim me kompanitë lundruese dhe institucionet kompetente, me prioritet sigurinë e jetës njerëzore në det, sigurinë portuale dhe garantimin e mbarëvajtjes së operacioneve.
📢 Publiku dhe mediat ftohen të ndjekin njoftimet zyrtare për çdo përditësim të mëtejshëm dhe të kontaktojnë kompanitë e lundrimit për informacion të detajuar mbi oraret dhe rezervimet.
