3-mujori 2015: Eksporti i mallrave rritje prej 24 përqind, importet 3 përqind

Gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti në kalatat e portit të Durrësit janë përpunuar afro 864 mijë ton mallra gjithsej, ose 12 përqind më shumë se sa në të njejtën periudhë të vitit të kaluar. Vëllimet e eksporteve dhe importeve të kësaj periudhe nëpërmjet portit më të madh të vendit kanë një diferencë shumë të vogël, prej 26 mijë ton, ose vetëm 3 përqind.

Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në Drejtorinë ekzekutive të APD mësohet se gjatë këtyre tre muajve anijet dhe tragetet kanë sjellë në Durrës afro 440 mijë ton mallra importi, ose 3 përqind më shumë se sa në periudhën janar – mars të vitit 2014.

Eksportet me anije kanë njohur një rritje prej 24 përqind, saktësojnë burimet, duke shtuar se, sasia e mallrave të përpunuar në drejtim të porteve të tjerë arrin në 414 mijë ton.

Sipas të njejtave burime, vëllimi i mallrave me tragete në këto tre muaj ka shënuar një rritje shumë të vogël, prej vetëm 7400 ton, ndërsa anijet kanë transportuar 86 mijë ton më shumë se sa në tre muajt e parë të vitit 2014.