Sot paradite në kalatat e portit të Durrësit po përpunohen 5 anije tregtare, me afro 11 mijë ton mallra të ndryshme, si dhe me 760 kontejnerë. Anija “Santa Katerina 1” po ngarkon 3000 ton çimento, ndërsa nga anijet e tjera po shkarkohen hekur, ure, superosfat dhe grurë. Njëlloj si ditën e djeshme, edhe sot priten periudha më të shkurtëra të ndërprerjes së punës për shkak të reshjeve të herëpasherëshme në zonën e Durrësit.
Gjatë 48 orëve të ardhshme në portin më të madh të vendit pritet të mbërrijnë edhe 6 anije te tjera me afro 19 mijë ton mallra gjithsej. Dy prej tyre do të ngarkojnë për eksport 10.700 ton krom gjithsej, ndërsa katër të tjerat do të sjellin në Durrës xhama, vaj luledielli, pleh kimik dhe hekur.