87 jahte dhe 3 kroçera me 938 turistë në port vetëm në qershor

87 jahte turistike të madhësive të ndryshme dhe 3 kroçera me turistë të huaj e kanë vizituar portin e Durrësit gjatë muajit qershor.

Numri i tyre pritet të rritet gjatë dy muajve të ardhshëm edhe për shkak të vënies së kalatës 4 të portit në dispozicion të mjeteve turistike. Vetëm sot paradite në kalatën qëndrore të portit janë akostuar shtatë jahte turistikë, personeli i të cilave përveç shërbimeve portuale viziton edhe qendrat muzeale e historike të qytetit.

Nga të dhënat statistikore mësohet se gjatë muajit që lamë pas vetëm kroçerat kanë sjellë në Durrës 938 turistë, kryesisht nga SHBA, Franca dhe Britania e Madhe.

Që nga fillimi i vitit 2019 numri i jahteve dhe kroçerave ka arritur përkatësisht në 141 dhe 11, me një numër të përgjithshëm turistësh prej 2.194 shtetasish të huaj.

Megjithëse është një port shërbimesh me destinacion kryesor përpunimin e anijeve, Autoriteti Portual Durrës ka krijuar kushte për qëndrimin disaditor të mjeteve lundruese turistike në qytetin antik.