APD: Qershor 2019, afro 50 mijë udhëtarë me tragete nga/drejt Durrësit

Fundjava e kaluar shënoi numrin më të lartë të frekuentuesve të trageteve

Afro 50 mijë udhëtarë kanë preferuar të udhëtojnë me tragete gjatë muajit qershor të këtij viti, ndërsa fluksi më i madh ditor u regjistrua në fundjavën e kaluar.

Nga të dhënat operative statistikore të APD, mësohet se në 30 ditët e muajit që lamë pas, me tragete kanë udhëtuar 49,322 pasagjerë me 8,736 autovetura gjithsej.

E shtuna e kaluar shënoi numrin më të lartë të udhëtarëve gjatë qershorit. Në Durrës mbërritën plot 1,634, ndërsa bashkë me udhëtarët që u nisën në mbrëmje drejt Barit dhe Ankonës numri ditor i udhëtarëve arriti në 2,805 me 457 autovetura gjithsej.

Që nga fillimi i qershorit në Durrës mbërritën me tragete 27,149 udhëtarë, ndërsa 22,173 të tjerë u nisën drejt Barit dhe Ankonës. Gjatë muajve korrik- gusht numri i udhëtarëve pritet të rritet, pasi bashke me turistët e huaj mijra bashkëatdhëtarë mbërrijnë në vendin tonë për të kaluar pushimet me familjet e tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.