Ambasadori Britanik në vendin tonë, z. Duncan Norman, zhvilloi sot një vizitë pune në Portin e Durrësit, ku është pritur nga kreu i APD-së, Pirro Vengu. Gjatë takimit diplomati u njoh me kapacitetet portuale, përballimin e Pandemisë së #Covid19 dhe impaktin ekonomik të saj. Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual, Pirro Vengu, pasi bëri një pasqyrim të reformave të ndërmarra në Portin e Durrësit, theksoi rolin e Autoritetit Portual në përballimin e Emergjencës Kombëtare, duke treguar qendrueshmëri në të gjithë kapacitetet logjistike të transportit të mallrave gjatë kësaj periudhe. Z. Vengu e njohu ambasadorin me hapat që ka ndërmarrë Autoriteti Portual Durrës për të përfituar ekspertizën e disa prej agjencive kryesore ndërkombëtare, me fokus ligjshmërinë dhe koordinimin e veprimtarive ligjzbatuese në hapësirat portuale.
Duke vlerësuar iniciativat për mirëadministrimin e Portit, Ambasadori Norman njoftoi gjithashtu se Ambasada britanike do të vërë në dispozicion të APD gjithë ekspertizën e agjencive britanike në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit.
Delegacioni britanik në mbyllje të takimit në ambientet e APD-së, u ndal në Terminalin Perëndimor dhe atë të Kontejnerëve, ku u njoh nga afër me operacionet portuale dhe investimet e planifikuara për përmirësimin e shërbimeve dhe rritjen e kapaciteteve përpunuese.