Ambasadori i Japonisë vizitë në APD, interesim për investimet dhe të ardhmen e portit

Ambasadori i Japonisë në Tiranë, Makoto Ito, vizitoi sot në mesditë portin e Durrësit. Ai u prit nga zv/drejtori i përgjithshëm ekzekutiv, Artjan Qirici, i cili e njohu përfaqësuesin e lartë të shtetit japonez me zhvillimet portuale të viteve të fundit, si dhe me funksionimin e Autoritetit Portual Durrës APD.

Z. Qirici vlerësoi vizitën e ambasadorit të Japonisë dhe u ndal në strategjinë që po implementohet për të ardhen e portit si një port tranzit. Sipas tij hapësirat për të investuar e bëjnë portin e Durësit mjaft tërheqës për investitorët e huaj. Z. Makoto Ito, i cili ka filluar funksionet e tij diplomatike në vendin tonë gjatë kohëve të fundit vlerësoi rëndësinë e portit të Durrësit.

Ambasadori Ito ndoqi me interes prezantimin e përgjithshëm mbi portin më të madh të vendit dhe u interesua më pas për projektet më të rëndësishme që presin të realizohen në hapësirën portuale.

Thellimi i basenit dhe kanalit hyrës të tij, rehabilitimi i kalatave 1-4 si dhe projekti i linjës hekurudhore në port, së bashku me mundësitë e investimeve në teknologji përbëjnë disa nga zhvillimet e ardhshme të portit të Durrësit.

Për afro një orë ambasadori i Japonisë, Ito, dhe zv/drejtori Qirici biseduan për zhvillimet në portin e Durrësit. Në fund z. Ito iu dhuruan simbolet e portit të Durrësit.