Ambasadori i ri i Italisë në Shqipëri, z. Fabrizio Bucci, ka zhvilluar vizitën e tij të parë në Portin e Durrësit, në praninë e përfaqësuesve të Guardia di Finanza, ku është njohur nga afër me kapacitetet portuale dhe projektet e së ardhmes së APD-së.
Forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve me Portin e Durrësit, me qëllim krijimin e të gjitha lehtësirave për shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, dhe një shërbim edhe më cilësor për pasagjerët, ishte në fokus të takimit të zhvilluar mes diplomatit Italian dhe kreut të APD-së, Pirro Vengu.
Nga ana e tij, z. Vengu, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me portet italiane, duke nënvizuar se Italia renditet ndër tre partnerët kryesorë të shkëmbimeve tregtare detare me vendin tonë.
Ambasadori Bucci, pasi u njoh me objektivat e APD-së, shprehu gatishmërinë e tij për forcimin bashkëpunimit, si element themelor për zhvillimin e ekonomisë së dy vendeve.
Palët u ndalën gjithashtu tek roli i pazëvendësueshëm i Guardia di Finanza në Portin e Durrësit për rritjen e sigurisë dhe luftën kundër trafiqeve.