Anija 55-mijë tonëshe “An Ning” shkarkon në port 10 mijë ton hekur betoni

Në kalata dhe në pritje 7 anije me afro 39 mijë ton mallra dhe 473 kontejnerë-

Në kalatat e portit të Durrësit sot po përpunohen katër anije tregtare, ndërsa priten edhe tre të tjera.

Anija 55-mijë tonëshe “An Ning” ka sjellë nga Kina 10 mijë ton hekur betoni, porosi e kompanisë Kurum. Anija me gjatësi 189.9 metra dhe gjërësi 32.3 metra është ankoruar në kalatën 5 dhe në çdo turn për shkarkimin e saj punojnë 2 skuadra punonjësish, një elektrovinxh dhe një vinxh i lëvizshëm me goma.

Ndërkaq në kalatën 4 po shkarkohet anija “Frojdi III” me 865 ton paleta me mallra ushqimore. Në kalatën 6 sot paradite nga anija “Tongan II” ka nisur shkarkimi i 337 kontejnerëve me mallra të ndryshme, ndërsa në kalatën 11 sapo u ankorua anija “Puffin S”, nga e cila do të shkarkohen 15.003 ton qymyr.

Në radën portuale ndodhet anija “Makbule Ana” me 3500 ton rrotativa llamarine, ndërsa në dy ditët e ardhshme priten edhe anijet “H. Kaptan” me 4999 ton ure dhe “Vilkovo” me 136 kontejnerë.

Në portin më të madh të vendit gjatë 9 muajve të parë të vitit janë përpunuar me anije dhe tragete 2 milion e 571 mijë ton mallra gjithsej.