Një anije tjetër 55-mijë tonëshe është ankoruar mbrëmjen e kaluar në Terminalin Perëndimor të portit.
Anija “Ertea”, prodhim i vitit 2009, ka sjellë nga Kina 19.937 ton hekur betoni, porosi e kompanisë Alba – Metal shpk (Elbasan). Anija me gjatësi 190 metra dhe gjërësi 32.5 metra është ankoruar në kalatën 5 dhe përpunimi i saj pritet të nisë sot pasdite. Për shkarkimin e saj në çdo turn do të punojnë 2 skuadra punonjësish, dy elektrovinxha dhe një vinxh i lëvizshëm me goma.
Javën e kaluar në të njëjtën kalatë u përpunua anija 55-mijë tonëshe “An Ning” nga e cila u shkarkuan afro 10 mijë ton shufra hekur betoni, porosi e kompanisë “Kurum”.
Po sot në kalatën 6 po përpunohen 320 kontejnerë nga anija “Tongan II”. Ndërsa në kalatën 2 po shkarkohen 4224 ton paleta melamine nga anija “Angela”. Në kalatën 1 ka përfunduar shkarkimi i anijes “Koralle” me 2452 ton llamarinë rrotativë.