Anija e Rojës Bregdetare turke “TCSG YASAM’, vizitë 3-ditore në port

Në portin e Durrësit mbërriti të djelën paradite anija e Rojës Bregdetare turke “TCSG YASAM’.

Vizita 3-ditore realizohet në kuadër të programit të bashkëpunimit për vitin 2015 midis Forcave të Armatosura dhe Forcës Detare (FD) shqiptare me Flotën Detare të Republikës së Turqisë, dhe synon trajnimin dhe bashkëveprimin midis FD-së së Shqipërisë dhe anijeve të Rojës Bregdetare turke për operacionet e kërkim-shpëtimit në det.

Anija me gjatësi 88 metra është ankoruar në kalatën 4 dhe Autoriteti Portual ka marrë masa për kushtet normale të qëndrimit në portin më të madh të vendit.

Sipas komandës së Forcave tona Detare, sot paradite kuadrot drejtues të anijes turke do zhvillojnë vizita në disa nga institucionet kryeqore të qarkut. Po ashtu do të ketë vizita të personaliteteve të larta ushtarake dhe vendore, si dhe vizita të qytetarëve në bordin e anijes. Personeli i anijes do të zhvillojë vizita në institucionet kulturore të qytetit, si muze arkeologjik, amfiteatër dhe muze etnografik.

Krahas veprimtarive me autoritetet dhe komunitetin civil, ekuipazhi i anijes turke do të zhvillojë stërvitje të përbashkët me efektivat e anijeve të grupit II patrullues të Flotiljes Detare.

Pasditen e 15 shtatorit 2015 anija turke “TSCG YASAM” 704, do të largohet nga porti i Durrësit.