11 korrik 2025
Gjeografia e pushimeve këtë sezon veror e rendit Durrësin ndër destinacionet më të përzgjedhura të kroçierave turistike në eksplorim të Mesdheut këtë vit. Ditën e sotme është rikthyer në ndalesën e parë të këtij sezoni, anija turistike “Nautica”, e cila ka sjellë 676 vizitorë nga e gjithë bota në bregdetin e Durrësit, ku kryesojnë turistët nga Shtetet e Bashkuara dhe Australia.
Nautica është bregëzuar mëngjesin e sotëm rreth orës 10:30 në kalatën nr.5 pas ndalesës në ishullin e Zakinthos, Greqi për të vijuar më tej itinerarin drejt brigjeve malazeze të Kotorrit.
Turistët nga mbarë bota do të vizitojnë sitet turistike të qytetit të Durrësit dhe zonave përreth.
Anija turistike “Nautica” lundron nën flamurin e ishujve Marshall, ka një gjatësi rreth 182 metër dhe gjerësi rreth 29 metër. Ka një kapacitet akomodues prej 684 udhëtarësh karakterizuar nga një kombinim perfekt i elementëve bashkëkohorë dhe elegancës së sofistikuar të kroçierave të Oceania Cruises.
Ndalesat në rritje në kryeqendrën portuale shqiptare janë indikator i popullaritetit të shtuar të vendit tonë në linjat e lundrimeve të anijeve turistike si dhe në itineraret e rekomanduara nga agjensitë botërore të turizmit, të cilat e renditin atë ndër destinacionet më atraktive, autentike dhe mikpritëse në rajon.
Modernizimi dhe investimet në facilitete turistike, zhvillimi i produkteve me fokus turistik, bashkëpunimi dhe koordinimin efektiv mes aktorëve dhe një vizion strategjik për zhvillimin e qendrueshëm të industrisë së turizmit detar po sjellin çdo vit e më shumë vizitorë dhe linja të reja turistike në Durrës duke hapur rrugën për një rritje progresive të këtij sektori në kompleksin e ri portual Durrës- Porto Romano.





