Anija velier “Sea Cloud” me 59 turistë, përsëri në port

Në portin e Durrësit mbërrin nesër paradite anija velier “Sea Cloud” me 59 udhëtarë në bord. Sipas të dhënave të para 49 prej tyre janë turistë nga SHBA, ndërsa të tjerët vijnë nga Australia, Franca, Kanadaja, Franca dhe Polonia.

Anija turistike do të ankorohet në kalatën 4 rreth orës 8.00 paradite, ndërsa largimi i saj është parashikuar rreth orës 16.00 të së njejtës ditë. APD ka marrë masat e sigurisë si dhe ka përcaktuar zonat e lëvizjes së turistëve drejt qytetit, duke lehtësuar qarkullimin e tyre në port. Anija mbërrin nga Kotorri (Mali i Zi) dhe do të vijojë lundrimin e saj drejt Sarandës. Ajo ka një gjatësi prej 109.5 mt dhe është regjistruar në portin Valleta (Maltë).

Anija “Sea Cloud” vjen për herë të dytë në Durrës brenda 10 ditësh, ndërsa është kroçera e tretë e këtij sezoni turistik. Që nga shtatori i vitit 2012 kjo anije luksoze është ankoruar disa herë në portin më të madh të vendit. Deri tani në qytetin bregdetar kanë mbërritur me kroçera 1564 udhëtarë, ndërsa deri në fund të sezonit priten 11 kroçera, me afro 10 mijë turistë.