Anijet dhe tragetet, 100 mijë ton mallra më shumë në tre muaj 26 prill 2013

Gjatë tre muajve të parë të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar 100 mijë ton mallra më shumë, se në të njejtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa eksportet me anije përmes këtij porti janë rritur me mbi 2.6 herë.

Sipas statistikave zyrtare të Autoritetit Portual, gjatë perudhës janar-mars sasia e mallrave të përpunuara nga anijet dhe tragetet në kalatat e tij arrin në afro 878 mijë ton, duke shënuar një rritje prej 13 përqind, në krahasim me 3-mujorin e parë të vitit 2012.

Burimet statistikore bëjnë të ditur se mallrat e eksportuara përmes portit më të madh të vendit arrijnë në 428 mijë ton, ndërsa importet në 450 mijë ton gjithsej.

Hekur nikeli me 55 mijë ton dhe çimento me 64 mijë ton zenë vendet e para ndër mallrat shqiptare me drejtim portet e tjera të Mesdheut dhe botës.

Një rritje prej më shumë se 6 mijë njësi gjithsej, në krahasim me 3-mujorin e parë të vitit të kaluar kanë patur edhe transportet me konteinerë.

Statistikat saktësojnë se më shumë se 414 mijë ton mallra janë transportuar në proçesin e import-eksportit brenda 23.450 konteinerëve që kanë qarkulluar me anije të specializuara përmes portit të Durrësit, ndërsa pjesa tjetër me anije të zakonshme dhe me tragete.