APD: 1 – 26 qershor, më shumë udhëtarë dhe automjete me tragete drejt Durrësit

Afro 40 mijë udhëtarë me rreth 7 mijë autovetura kanë shfrytëzuar tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona e kthim gjatë periudhës 1-26 qershor të këtij viti.

Ndërkaq pritet që javën e ardhshme të fillojë rritja graduale e numrit të udhëtarëve dhe automjeteve që nga portet e Italisë do të nisen drejt Durrësit. Nga të dhënat operative të APD, mësohet se në portin më të madh të vendit kanë mbërritur me tragete më shumë se 21 mijë udhëtarë, ndërsa janë nisur drejt Barit dhe Ankonës 3 mijë udhëtarë më pak.

Edhe numri i autoveturave në hyrje drejt Durrësit brenda 26 ditëve ka arritur në 4,308, ndërsa janë nisur me tragete vetëm 2,650 autovetura.

Tragetet kanë transportuar gjithashtu 6,124 kamjonë dhe trajlerë, pjesa më e madhe e të cilëve 3,373 kanë sjellë mallra drejt Durrësit, ndërsa 2.751 janë nisur me mallra eksporti.