Gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti në dy nga Terminalet e portit të Durrësit janë përpunuar 140 mijë ton mallra importi me drejtim për në Kosovë.
Nga të dhënat statistikore të Autoritetit Portual Durrës, mësohet se në Terminalin Perëndimor kanë mbërritur me anije 73,408 ton mallra, të cilat pasi janë shkarkuar në kalata i janë drejtuar me automjete qyteteve të ndryshme të Kosovës.
67 mijë ton mallra të tjerë nga importi janë përpunuar në kalatat e Terminalit Lindor për të vijuar më pas drejt Kosovës.
Gjatë këtyre 9 muajve në portin e Durrësit kanë mbërritur mallra të ndryshme tranzit për në Kosovë, si llamarinë, hekur, qymyr, pleh për bujqësinë, melaminë, etj.
Nga Sektori i Statistikave në APD, mësohet se shifrat nuk përfshijnë volumet e mallrave tranzit nga/drejt Kosovës me kontejnerë, si dhe me kamjonë apo trajlerë nga tragetet e linjave Durrës-Bari dhe Durrës-Ankona-Trieste e kthim.
Pas marrëveshjes mes dy qeverive, Doganat e Kosovës që nga fillimi i këtij viti kanë një Zyrë doganore në portin e Durrësit.