APD: 2011 – 2017, rritet numri i anijeve dhe kontejnerëve të përpunuar

Numri i anijeve të specializuara në transportin e kontejnerëve që përpunohen në portin e Durrësit është rritur nga viti në vit, mësohet nga statistikat e publikuara në faqen e APD për periudhën 2011-2017.

Nga 127 anije që u përpunuan në vitin 2011, gjatë vitit që lamë pas në Terminalin e kontejnerëve u përpunuan 206 anije gjithsej.

Sipas të dhënave të Sektorit të Statistikave në APD, bëhet e ditur se numri i i kontejnerëve TEU (njësi kontejnerike) gjatë vitit 2017 ka arritur në 118.270 njësi, ose 37.526 njësi TEU më shumë se sa në vitin 2011, kur u përpunuan 80.744 kontejnerë TEU gjithsej.

Numri i kontejnerëve të përpunuan me drejtim eksport/importi është thuajse i barabartë çdo vit. Në vitin 2017 u përpunuan 58.920 njësi kontejnerike për eksport, dhe 59.350 kontejnerë nga importi.

Vëllimi vjetor i mallrave të përpunuara me kontejnerë ka pësuar një rritje graduale, nga 1 milion e 60 mijë ton në vitin 2011 në 1 milion e 480 mijë ton në vitin 2017.