APD: 2019, në portin e Durrësit jahte nga pesë kontinentet

Që nga fillimi i këtij viti portin e Durrësit e kanë vizituar 420 jahte, me flamurë nga të pesë kontinentet. Megjithëse është një port i dedikuar për përpunimin e anijeve tregtare, jahtet dhe kroçerat kanë gjetur shërbimet e nevojshme, mikpritjen si dhe sigurinë portuale.

Burime nga Qendra e Informacionit në APD, bënë me dije se jahtet e akostuar në kalatat e portit janë të regjistruar në më shumë se 40 porte në të gjithë botën.

Italia, Kroacia, Gjermania, Mali i Zi, apo Malta janë vendet ku janë regjistruar një pjesë e mirë e jahteve që vijnë në Durrës, ndërsa pjesa tjetër e jahteve me flamurë evropianë vijnë nga Greqia, Britania e Madhe, Franca, Norvegjia, Spanja, Danimarka, Suedia, etj.

Jahtet e tjerë janë të regjistruar në Australi, Izrael, Turqi, SHBA, Zelandën e Re, Xhamaikë, Afrikën e Jugut, Panama, Gjiblartar, etj. Mjaft jahte që akostohen në Durrës vijnë nga ishujt Marshall, Bermude apo Saint Vincent.  Gjatë stinës së verës anijet e vogla turistike shfrytëzuan kalatën 4 në qendër të portit, e cila iu dedikua për herë të parë jahteve.