Mallrat speciale import-eksport që janë përpunuar në portin e Durrësit gjatë vitit 2019 kanë patur si destinacion kryesisht HeC-et në jug të vendit, si dhe disa n/stacione elektrike. Ndërkaq nuk kanë munguar edhe pajisjet e prodhuara në vendin tonë, të cilat u janë drejtuar me anije vendeve fqinje.
Pjesa më e madhe e ngarkesave speciale janë përpunuar nga kompanitë stivadore në Terminalin e Mallrave Gjenerale (i njohur edhe si Terminali Perëndimor).
Në muajin gusht në kalatën 5 u shkarkuan 290 tuba çeliku me diametër 2,2 metër, të cilët u nisën më pas me automjete të specializuar drejt hidrocentraleve në jug të vendit. Dy muaj më vonë, 200 ton struktura metalike, oxhakë me filtra të veçantë, të cilat janë prodhuar në një nga ndërmarrjet e qytetit të Elbasanit u ngarkuan në anije me destinacion portin e Trapanit (Siçili).
Në portin e Durrësit janë shkarkuar gjithashtu edhe transformatorë elektrikë me peshë mbi 40 ton secili, porosi e OSSHE për n/stacionet e Fushë Kuqes dhe të Kasharit.