Forca e Sigurisë Portuale është një faktor i rëndësishëm veprues në performancën e Autoritetit Portual të Durrësit. Me këtë frymë u zhvillua sot analiza vjetore e FSPD, në të cilën morën pjesë drejtuesit më të lartë të saj.
Në raportin e mbajtur nga Drejtori i Sigurisë, Alfred Velaj, u nënvizuan disa nga arritjet e vitit të kaluar, ndërsa u ndal gjithashtu edhe në problematikat e hasura gjatë veprimtarisë së përditshme të punonjësve të kësaj Force. Gjatë vitit që lamë pas në territorin e portit punonjësit janë përballur me 300 incidente të ndryshme, si hyrje e paautorizuar, tentativa të paligjshme për kalimin e kufirit, rënie zjarri, tentativa vjedhjeje, dëmtim infrastrukture etj.
Në raport u theksua puna e mirë në mbështetje të përpunimit të anijeve kroçiera dhe ushtarake, duke theksuar këtu dy ndër vizitoret më të veçanta të portit të Durrësit, anija librari “Logos Hope” dhe “Amerigo Vespucci”.
Gjatë vitit 2022 janë zhvilluar një sërë trajnimesh brenda dhe jashtë vendit për efektivin e sigurisë që lidhen kryesisht me rritjen e paramterave të sigurisë në zonat e kufizuara, ato të cilat paraqesin rrisk të lartë, nivelet e sigurisë, kërcënimet të cilat konstatohet nga jashtë perimetrit të sigurisë dhe terrorit portual, përgatitja fizike, etj.
Në përmbyllje të kësaj analize, kreu i FSPD Z.Velaj i inkurajoi efektivët për të vijuar detyrën dhe asistimin me devotshmëri në çdo rast nevoje dhe emergjence brenda territorit portual, duke theksuar mbështetjen dhe vlerësimin për punën dhe kontrributin e tyrë në mbarëvajtjen e aktivitetit tregtar të portit më të madh në vend.