APD-APEC, Zhvillohet trajnimi i stafit drejtues të APD mbi strategjitë e lidershipit të suksesshëm

5 qershor 2025

Ka përfunduar sot trajnimi dyditor me temë “Bazat dhe Strategjitë e Lidershipit”, i cili u zhvillua me pjesëmarrjen e stafit drejtues dhe ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës (APD). Ky trajnim, i konceptuar posaçërisht për të rritur kapacitetet menaxheriale të stafit të lartë, u realizua nga Njësia e Cilësisë dhe Standardeve në bashkëpunim të ngushtë me konsulentët e TMC dhe ekipin e trajnerëve të APEC.

Qëllimi i programit ishte forcimi i aftësive drejtuese përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse ndaj zhvillimit profesional, duke përfshirë komponentë kyç si komunikimi efektiv, vendimmarrja e informuar, menaxhimi i situatave komplekse, zgjidhja e konflikteve dhe mendimi strategjik. Në fokus të veçantë ishte edhe motivimi i individëve për të udhëhequr me vizion, besim dhe qasje pozitive ndaj sfidave.

Trajnimi u drejtua nga dy eksperte të njohura të APEC, znj. Sofie Stockman dhe znj. Julie Tegenbos, të cilat sollën përvojë ndërkombëtare dhe praktika të avancuara për ndërtimin e lidershipit efektiv. Gjatë programit, pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime dhe ushtrime praktike mbi:
• Nxitjen e dialogut të hapur dhe forcimin e një kulture bashkëpunimi dhe inovacioni;
• Artikulimin e vizionit institucional, si bazë për orientimin strategjik të organizatës;
• Vendimmarrjen në situata kritike, me qëllim rritjen e qëndrueshmërisë organizative;
• Negocimin dhe menaxhimin e problematikave komplekse, në funksion të efikasitetit operacional;
• Angazhimin dhe motivimin e punonjësve, përmes mbështetjes së zhvillimit të tyre profesional.

Ky trajnim merr një rëndësi të veçantë në kontekstin e zhvillimeve infrastrukturore që po ndodhin në Portin e Durrësit, përmes dy projekteve të reja strategjike që do të transformojnë funksionimin dhe strukturën organizative të kompleksit portual Durrës–Porto Romano.

Në këtë kuadër, ngritja e kapaciteteve drejtuese dhe krijimi i një mjedisi pune bashkëpunues, dinamik dhe me performancë të lartë përbëjnë një prioritet strategjik. Përmes kësaj nisme, APD synon të ndërtojë një strukturë menaxheriale të qëndrueshme dhe me ndikim afatgjatë në zhvillimin organizativ dhe ekonomik të zonës portuale.