APD: Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Agron Tare takohet me përfaqësuesit e Unionit të Shërbimit Detar

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD, Agron Tare ka zhvilluar këto ditë një takim njohës me përfaqësuesit e Agjencive Detare, Spedicionere, etj., që operojnë në territorin portual të Durrësit.

Të organizuar tashmë në Shoqatën e emërtuar “Unioni i Shërbimit Detar”, përfaqësuesit e Agjencive paraqitën disa shqetësime që lidhen me akostimin në Terminalin Perëndimor të mjeteve lundruese me karakter turistik, si jahte apo kroçera, si dhe të anijeve me destinacione të tjera. Sipas përfaqësuesve të “Unionit” përpunimi i anijeve tregtare në kalatat e Terminalit të mallrave Gjenerale (Terminali Perëndimor) shpesh vështirësohet nga ankorimi i mjeteve të tjera lundruese në të njejtën hapësirë.

Drejtori Ekzekutiv i APD, Agron Tare, duke iu përgjigjur këtij shqetësimi tha se në Terminalin Perëndimor, që administrohet nga APD, do të bashkërendohet puna për të krijuar kushte normale për të gjithë operatorët dhe mjetet lundruese.

Ai sqaroi gjithashtu, se menjëherë pas pas tejkalimit të problemeve teknike do të nisë puna edhe për zbatimin e projektit të Thellimit të basenit dhe kanalit hyrës të tij.

Gjatë vitit 2018 në portin e Durrësit janë ankoruar 1.956 mjete lundruese gjithsej, 15 nga të cilat krocera, ndërsa 380 jahte. Gjatë të njejtit vit janë përpunuar edhe 551 anije tregtare dhe 1.010 tragete gjithsej.