APD: Drejtori i përgjithshëm pret Ambasadorin e Turqisë në vendin tone

-Interesim i diplomacisë dhe biznesit turk për rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve-

Drejtori i përgjithshëm Ekzekutiv i APD, Afrim Bakaj, priti sot në mesditë ambasadorin e Turqise në Tiranë, Ahmet Yörük, i cili shoqërohej dhe nga pjesëtarë të trupit diplomatik.

Z. Bakaj i uroi mirëseardhjen diplomatëve nga Turqia, duke vlerësuar rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, ashtu si dhe marrëdhëniet e deritanishme në fushën e transportit.

Z. Yörük i quajti të përkryera marrëdhëniet mes dy vendeve, duke nënvizuar nevojën e rritjes së shkembimeve tregtare mes Turqisë dhe Shqipërisë. “Durrësi është një qytet i rëndësishëm, pasi ka portin, një hapësirë shumë të rëndësishme për transportet detare-u shpreh z. Yörük.

Më pas diplomatët turq dhe biznesmenët që shoqëronin ambasadorin u njohën me kapacitetet dhe situatën në portin më të madh të vendit tonë.

Po ashtu u interesuan për ecurinë e projektit të thellimit të basenit dhe kanalit hyrës të tij, dhe për infrastrukturën brenda hapësirës portuale.

Vetëm në periudhën janar-shtator 2018 shkëmbimet e portit të Durrësit me ato të Turqisë arrijnë në 19 përqind të vëllimit të përgjithshëm 9-mujor të Mallrave të përpunuara në Durrës.

Drejtuesit e APD dhe diplomatët turq bashkëbiseduan për mundësitë e bashkëpunimit me porte të veçanta të Turqisë në të ardhmen.