APD: Festa e Pashkes, dyfishohet numri i udhëtarëve me tragete

Festa e Pashkës katolike ka ndikuar në rrijen e numrit të udhëtarëve shqiptarë dhe të huaj, që kanë shfrytëzuar tragetet e linjave nga Durrësi drejt Barit, Ankonës e Triestes dhe anasjelltas. Sipas të dhënave statistikore, numri ditor i udhëtarëve me tragete në prag të festave ka arritur deri në 1143 (27 mars 2016), ose 60-70 përqind më shumë se në ditë normale.

Nga të dhënat paraprake statistikore, mësohet se në tre ditët e fundit të javës së kaluar kanë udhëtuar me tragete drejt Durrësit 3.385 pasagjerë gjithsej, me 682 autovetura.

Në ditët pas festës, është shënuar një ndryshim i kahjes së lëvizjes, me një rritje të ndjeshme të numrit të udhëtarëve në dalje nga Durrësi.

Në prag të festave kombëtare apo fetare në portin e Durrësit vihet re një shtim i numrit të pasagjerëve që shfrytëzojnë tragetet për t’ju drejtuar vendlindjes.

Çdo ditë në linjat detare me Italinë lundrojnë 2-3 tragete, të cilët kryejnë udhëtimet e tyre kryesisht në orët e natës.