APD/ Festat e Fundvitit, nis fluksi i udhëtarëve në portin e Durrësit/ 19 dhjetor 2022

Në Portin e Durrësit fundjava që lamë pas ka shënuar dhe nisjen e fluksit të hyrje-daljeve të udhëtarëve, duke regjistruar 4, 492 pasagjerë dhe 1,624 mjete në këtë pikë kufitare.

Të dhënat e Sektorit të Statistikave pranë Autoritetit Portual Durrës, bëjnë të ditur se aktualisht fluksi është i fokusuar në hyrje, ku vetëm gjatë të shtunës e të dielës janë regjistruar 3,209 pasagjerë.

APD në bashkëpunim me të gjitha strukturat që operojnë në port kanë marrë masat për krijimin e lehtësive dhe shmangien e vonesave për çdo udhëtar që hyn apo del nëpërmjet portit të Durrësit, duke dyfishuar kapacitetet përpunuese dhe vigjilencën e shërbimeve për ta.

Si çdo fundvit edhe në kapërcyellin e viteve 2022-2023 parashikohet një rritje e ndjeshme e numrit të udhëtarëve vendas që preferojnë të udhëtojnë me tragete drejt portit të Durrësit, për t’iu drejtuar më pas familjeve të tyre në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.