Rritja e lundrimeve në Adriatik, që për vitin 2022 ka numëruar afro rreth 3.3 milionë pasagjerë, projeksionet për lulëzimin e mëtejshëm të turizmit të kroçerave, projektet, programet dhe pyetjet për të arritur rezultate të reja dhe më ambicioze, ishin në fokus të edicionit të pestë të Forumit të Detit Adriatik të mbajtur në Bari të Italisë.
Porti i Durrësit u përfaqësua nga Administratori i Albanian Seaports Development Agency, Z. Erlis Hereni, i cili shpalosi vizionin e Qeverisë shqiptare për zhvillimin e strukturuar të turizmit detar, kur investimi më i madh synohet të jetë transformimi i Portit të Durrësit në një Marinë turistike elitare.
Edicioni i ri i Forumit të Detit Adriatik vjen në një kohë të rëndësishme për industrinë e lundrimit në të cilin sfida, më shumë se në të kaluarën, qëndron në tërheqjen e turistëve.
I nisur në vitin 2013, tani në edicionin e pestë, forumi regjistroi pjesëmarrjen e operatorëve të sektorëve të lundrimit, trageteve dhe detit nga shtatë vende, duke përfshirë brigjet italiane dhe ato të Kroacisë, Bosnjës, Greqisë, Shqipërisë, Sllovenisë dhe Malit të Zi.
Takimi dyditor i cili i kushtohet ekluzivisht turizmit detar dhe rëndësisë së tij në zonën e Adriatikut, përfaqëson një mundësi unike për autoritetet portuale dhe operatorë seriozë në fushën e detarisë, përfshirë profesionistë, sipërmarrës, dhe studiues të cilët gjatë dy ditëve diskutuan për gjendjen e turizmit detar post Covid.
Dyfishimi i trafikut të lundrimit në krahasim me vitin 2021 është inkurajues, por mbetet pak më shumë se gjysma e atij të regjistruar në vitin 2019 para fillimit të pandemisë, kur 5.7 milionë pasagjerë kishin qenë në lëvizje.
Sakaq vitit 2022, pritet që në portet e Adriatikut të numërohen afro 18 milionë pasagjerë në lëvizje.