Autoriteti Portual Durrës (APD) do të organizojë së shpejti një sërë kursesh trajnimi, me synim rritjen e nivelit profesional të personelit, si dhe përgatitjen e të rinjve që kanë përfunduar shkollën e mesme.
Ministria e Punëve publike dhe Transportit ka miratuar tashmë kurrikulat e formimit profesional të kualifikimeve me profesionet e aplikueshme në mjediset e porteve detare të vendit.
Kurset teoriko-praktike do të zhvillohen në mjediset e Qendrës së Trajnimit si dhe në terminalet portuale, duke shfrytëzuar mjetet dhe mekanizmat e disponueshme nga APD.
Kurset me kohëzgjatje nga 45 deri në 522 orë përfshijnë 15 trajnime dhe kualifikime në nivele të ndryshme si stivador, përgjegjës përpunimi anijesh, inspektorë sheshi dhe logjistike, si dhe planifikues e menaxherë terminali.
Kualifikimet me periudha më të gjata kohore i kushtohen profesioneve të elektrovinçierëve dhe manovratorëve të karrelit dhe të Reach stacker.
Numri i parashikuar i
pjesmarrësve në secilin prej kurseve do të jetë nga 4-12 veta.
APD e liçensuar nga Qendra Kombëtare e Liçencave për ofrimin e kurseve të formimit profesional, ka hartuar Programet e trajnimit teoriko-praktik, duke u fokusuar në aftësimin praktik të kursantëve në profilet specifike të shërbimeve në terminalet portuale.
Një grup pune me ekspertë të fushës së operacioneve portuale, duke u mbështetur edhe në udhëzimet e Agjencisë Kombëtare për arsim dhe formim profesional dhe nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit ka marrë shërbime konsulence edhe nga Portet e zhvilluara evropiane.
Përveç personelit të saj inxhinjero-teknik, APD do të përfshijë në stafin e Qendrës së Trajnimit edhe instruktorë të tjerë nga fusha e detarisë. Literatura e trajnimeve mbështetet kryesisht në Konventat dhe Kodet ILO, IMO dhe ISPS për Sigurinë dhe shëndetin në porte, ato për Mallrat e rrezikshme, Planifikimin e Operacioneve në porte OKB, etj.
Qendra e Trajnimeve është rinovuar tërësisht disa muaj më parë, në kuadër të investimit të APD për ristrukturimin e godinave të institucioneve portuale. Ajo ka marrë pamjen e një minishkolle me gjashtë klasa, në të cilat mund të zhvillojnë përkatësisht mësim 16-32 kursantë njeherësh. Dy prej klasave janë pajisur tërësisht me kompuiterë. Një sallë me kapacitet 90 vetë në formën e një auditori do të shërbejë për leksionet dhe takimet e përbashkëta.