APD: Incidenti në sheshin e trageteve, Komiteti i Sigurisë kërkon bashkëpunim të institucioneve dhe denoncime nga qytetarët

Autoriteti Portual Durrës reagoi sot për ngjarjen në sheshin e trageteve duke mbledhur Komitetin e Sigurisë dhe duke u kërkuar institucioneve bashkërendim të punës, me qëllim krijimin e lehtësirave në udhëtim dhe përpunim, për të gjithë qytetarët që udhëtojnë nga Porti më i madh i vendit, Durrësi, në drejtim të Italisë dhe anasjelltas.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, z. Afrim Bakaj, mblodhi Komitetit të Sigurisë Portuale me pjesmarrjen e Prefektit të Qarkut, z.Roland Nasto, duke u ndalur veçanërisht në masat për përballimin e fluksit të udhëtarëve dhe automjeteve. Kreu Ekzekutiv i APD-së, ftoi operatorët privatë dhe përfaqësuesit e Institucioneve Shtetërore, të rrisin shkallën e bashkëpunimit me qëllim krijimin e të gjithë lehtësirave për udhëtarët. Drejtori Bakaj tha se lidhur me incidentin e regjistruar më datë 11.08.2018 në sheshin e trageteve në Port – Durrës, ka filluar procedimi penal, në ngarkim të shtetasit italian I. M. 35 vjeç, banues në Itali, me detyrë roje fizike të tragetit të linjës Bari – Durrës – Bari. Ky shtetas është konfliktuar dhe ka goditur me sende të forta disa shtetas që do të udhëtonin me traget për në Itali.

“Raste të tilla nuk do të tolerohen brenda territorit të Portit të Durrësit, ndaj duke marrë shkas, ju kërkoj angazhim maksimal që nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit, Kapiteneria, Forca e Sigurisë Portale dhe operatorët privatë; shërbim sa më dinjitoz dhe qytetar nga punonjësit dhe shmangie të vonesave të lundrimit të trageteve nga Agjencitë përkatëse”, tha z. Bakaj gjatë fjalës së tij. Më tej Drejtori i APD-së, ftoi të gjithë udhëtarët që do të hasin probleme në komunikim me cilindo punonjës, privat apo shtetëror qoftë ai, të mos ndalen për ti denoncuar këto raste tek drejtuesit e APD-së, duke kontaktuar me të gjitha format, elektronike apo të drejtpërdrejtë. “Jemi këtu për tu shërbyer qytetarëve me korrektësi maksimale”, tha drejtori Ekzekutiv i APD, Afrim Bakaj.