APD, janar-maj 2019: 200 mijë udhëtarë vendas dhe të huaj preferojnë tragetet

Afro 200 mijë udhëtarë në periudhën janar – maj 2019 kanë preferuar të lundrojnë me tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona e kthim. Më shumë se 50 mijë prej tyre janë udhëtarë të huaj.

Sipas të dhënave statistikore të Sektorit përkatës në APD, shifra shënon një rritje prej 1 % krahasuar me të njejtën periudhë të 5-mujorit 2018.

Ndërkohë volumi i mallrave të transportuara me kamjonë dhe trajlerë nga tragetet është rritur me 3 % duke arritur shifrën 5-mujore prej afro 379 mijë ton. Afro 32 mijë kamjonë dhe trajlerë me mallra import-eksporti kanë shfrytëzuar tragetet gjatë 5 muajve të parë të këtij viti.

Nga statistikat mësohet se mbi 112 mijë udhëtarë i kanë shfrytëzuar tragetet në lundrimet drejt porteve të Italisë, ndërsa afro 88 mijë të tjerë kanë lundruar nga gadishulli Apenin drejt Durrësit. Ndërkaq, edhe numri i autoveturave në dalje është më i lartë, rreth 1.900 njësi, se sa ai i regjistruar në hyrje me tragete drejt Durrësit.