APD: Janar-mars 2018 Tragetet, 118 mijë udhëtarë dhe 219 mijë ton mallra

Tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës –Ankona – Trieste e kthim gjatë tre muajve të parë të këtij viti kanë trasportuar 15 përqind më shumë mallra dhe 10 përqind më pak udhëtarë, krahasuar me periudhën janar-mars të vitit 2017. Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD mësohet se gjatë periudhës 3-mujore 2018, tragetet janë shfrytëzuar nga afro 118 mijë udhëtarë dhe 23.549 autovetura gjithsej.

Burimet e Sektorit të Statistikave, thanë se në 3-mujorin që sapo u mbyll tragetet kanë transportuar gjithashtu afro 219 mijë ton mallra, të ngarkuar në kamjonë dhe trajlera.

Kjo është një sasi 15 përqind më e lartë se sa e tre muajve të parë të vitit 2017, ndërsa importet dhe eksportet janë rritur përkatësisht me 13 dhe 19 përqind. Tragetet gjithashtu kanë transportuar 17.073 kamjonë dhe 1.417 trajlerë në tre muaj, përkatësisht 7 dhe 13 përqind më shumë se sa në janar-mars 2017.

Nga të njejtat burime mësohet se tragetet kanë kryer gjithsej 224 lundrime vajtje-ardhje, ose 1 lundrim më shumë se në tre muajt e parë të vitit të kaluar.