Mbi 18 mijë udhëtarë me 3,500 autovetura kanë shfrytëzuar tragetet e linjave Durrës – Bari – Durrës dhe Durrës – Ankona – Durrës gjatë periudhës 1-6 janar të këtij viti.
Nga të dhënat operative të Autoritetit Portual Durrës, mësohet se shumica e udhëtarëve , 14,428 janë nisur me tragete drejt porteve të Barit dhe Ankonës, ndërsa pjesa tjetër kanë shfrytëzuar lundrimet me tragete drejt Durrësit.
Pas vështirësive të krijuara për shkak të detit të trazuar dhe erës së fortë në brigjet e Italisë jugore, lundrimet janë normalizuar. Nga Durrësi janë nisur katër tragete me udhëtarë drejt portit të Barit (Itali), ndërsa një tjetër ishte nisur më herët drejt Ankonës.
Çdo mbrëmje nga Durrësi drejt Barit tragetet nisen sipas grafikut të përcaktuar.