APD: Kalata 4 u shfrytëzua për jahtet turistike, rikthehen anijet tregtare

Në kalatën 4, e cila për më shumë se tre muaj u shfrytëzua nga jahtet turistike, që nga fillimi i muajit tetor janë rikthyer anijet tregtare.

Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD, mësohet se vetëm gjatë periudhës qershor-shtator, në kalatën 4 të portit, që u dedikua për akostimin e anijeve turistike, kanë gjetur shërbimet portuale 355 jahte gjithsej.

Ndërkaq, sot paradite në këtë kalatë po shkarkohet anija “Yilmaz Kaplan” me 1,499 ton grurë. Nga Drejtoria Operacionale, mësohet se përfundimi i sezonit turistik dhe rënia e numrit të jahteve dhe skafeve, mundësuan sipas parashikimit edhe rifillimin e veprimtarisë përpunuese në këtë kalatë të Terminalit të Mallrave Gjenerale që administrohet nga APD.

Që nga fillimi i këtij viti në portin e Durrësit janë akostuar 405 jahte të regjistruar në porte të ndryshme të botës, një numër më i lartë se sa ai i jahteve të akostuara gjatë gjithë vitit 2018.