Dy tragete me 452 udhëtarë gjithsej janë akostuar sot paradite në portin e Durrësit, një numër thuajse i njejtë me ditët e zakonshme të kësaj periudhe.
Një grup i përforcuar mjekësh, si dhe personeli mbështetës janë kujdesur për t’u njohur me gjëndjen shëndetsore dhe itinerarin e lëvizjes së tyre, para mbërritjes në portin e Durrësit – bëhet e ditur nga burimet e Autoritetit Portual.
Udhëtarët kanë qenë bashkëpunues dhe i janë përgjigjur pyetjeve, si dhe vizitave të shkurtëra shëndetësore gjatë zbarkimit nga tragetet e linjës Bari – Durrës – thanë burimet.
Që nga fillimi i këtij muaji, Instituti i Shëndetit Publik dhe APD kanë bashkërenduar masat për të përballuar rrezikun e koronavirusit në pikëkalimin kufitar të portit më të madh të vendit.
Në Terminalin e Trageteve është dyfishuar numri i personelit shëndetësor, si pjesë e grupit kombëtar të Task Forcës, me anëtarë nga sektori i Mbrojtjes së Shëndetit në APD, si dhe nga ISHP dhe Drejtoria vendore e Shëndetit Publik.
Edhe ditën e hënë me tragetet e linjës Bari – Durrës mbërriti thuajse i njejti numër udhëtarësh vendas dhe të huaj, 446 gjithsej.