Autoriteti Portual është kujdesur sot paradite për mbarëvajtjen e ceremonisë së Ujit të Bekuar, e cila si çdo vit u zhvillua më 6 janar në pjesën qendrore të basenit portual. Megjithë temperaturat e ulta të ajrit dhe të ujit, APD i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Kishës Ortodokse të Durrësit për krijimin e kushteve brenda hapësirës portuale.
Forcat e Sigurisë Portuale u kujdesën për hyrjen e procesionit të besimtarëve në port. Mjeti lundrues i FSPD dhe një polumbar u kujdesën për mbarëvajtjen e ceremonisë, që filloi rreth orës 11.00, aty ku bashkohen kalatat 4 dhe 5. Autoambulanca e APD ishte si gjithmonë në gatishmëri për të ndihmuar në rast nevoje të rinjtë që u hodhën për të kapur Kryqin në ujrat e detit Adriatik.
Qindra besimtarë ortodoksë marrin pjesë çdo 6 janar në kremtimin e Ditës së Ujit të Bekuar. Ceremonia në portin e Durrësit është e vetmja në të gjithë vendin që zhvillohet në ujrat detare. Ceremonia simbolike e hedhjes së Kryqit në ujë zhvillohet menjëherë pas meshës së paradites në katedralen e Shën Pavlit dhe Shën Astit shumë pranë portit të Durrësit.