Kujtim Daullxhiun, punëtorin e magazinës e njohin të gjithë në port.
Ai do të dalë në pension pleqërie në korrik, 33 vjet pasi ka nisur të punojë në portin më të madh të vendit.
Kujtimi ishte vetëm 16 vjeç, kur filloi në Degën e Farnave, ndërsa më pas punoi për shumë vite në Stacionin hekurudhor të qytetit.
“Që nga viti 1987 unë punoj në port, fillimisht në sektorin e Mirëmbajtjes” – i rikthehet Kujtimi viteve të para në ndërmarrjen më të madhe të transportit detar.
“Me rrogën e portit kam rritur katër fëmijët” – thotë Kujtimi, i cili ndjehet i lumtur se edhe vajza e vogël e tij, po vazhdon studimet në Universitetin e Durrësit, në degën e Infermierisë.
Të gjithë në APD e vlerësojnë korrektesën e Kujtimit në punë dhe vitet e fundit ai furnizon me materiale të gjitha zyrat e drejtorive, ndërsa në magazinë manovron lefterakun për veprimet e ngarkim-shkarkimit.